Kryetari i Partisë “Fjala”, Gëzim Kelmendi, i ka bërë një ftesë publike “Listës Familja” për të bashkëpunuar në zgjedhjet e 9 shkurtit, shkruan Insajderi.
Kelmendi ka theksuar se partia e tij nuk ka shqetësime për numrin e deputetëve dhe se “Familja” mund të zgjedhë pozitat që dëshiron, duke i ofruar mundësinë për të marrë vendet nga 1 deri në 110 në listën e Partisë FJALA.
Në ftesën drejtuar deputetëve Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, si dhe ish-Ministrit Ferid Agani, kryetar i PD-së, Kelmendi ka shprehur gatishmërinë e partisë së tij për një bashkim të mundshëm, duke i inkurajuar ata që të kalojnë përtej çdo pengese.
Ftesa e tij e plotë:
“Të nderuar deputetë Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, i nderuar ish-Ministër Ferid Agani, njëherit kryetar i PD-së, të nderuar intelektualë dhe përfaqësues të frymës konservatore.
Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të Partisë FJALA, me sinqeritetin më të madh, besnikërinë dhe vendosmërinë tonë, të ju ftojmë për bashkim.
Ditëve të fundit jemi informuar nga mediat e ndryshme që njëri nga partnerët tuaj të koalicionit, kryetari i AKR-së, deputeti Behgjet Pacolli, është larguar nga koalicioni juaj. Ne, Partia FJALA, ju themi, mos u brengosni.
Kur mbyllet një derë, hapen dyer tjera.
Dera e Partisë FJALA ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë e hapur për ju dhe për të gjithë ata që mbështesin frymën konservatore në Republikën e Kosovës. Ne ju ftojmë pa kushtëzime. Ne jemi të gatshëm ta tejkalojmë çdo pengesë eventuale, nëse ekziston.
Sa i përket renditjes dhe numrit të deputetëve në listë, juve ju japim mundësinë të zgjedhni. Prej numrit 01 e deri te numri 110, ju do t’i zgjedhni pozitat që ju i dëshironi. Vetëm të bashkuar jemi më të fortë.
Ju mirëpresim.”