Britaniku Jon Harrison veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka kërkuar ndihmë për shërimin e tij, pasi që ai është i sëmurë nga tumori në tru.
“Kam filluar një fushatë në ‘gofundme’ për herë të parë me një dritëz të vogël shprese për të jetuar më gjatë se vetëm vitin e ardhshëm” ka shkruar Harrison në Facebook për sëmundjen e tij.
Për shërimin e Jon Harrison, duhen rreth 40 mijë funta, pasi që Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Britanisë nuk do t’ia mbulojë operimin dhe kështu Jon duhet të paguajë një institucion privat shëndetësor për të kryer këtë operacion.
Deri më tani në “gofundme” për Jon janë dhuruar rreth 4 mijë funta, përderisa kampanja qëndron ende e hapur për të gjithë ata që munden për të dhuruar të holla për shërimin e Jon Harrison.
Në pamundësi për të kryer punët e tij të përditshme, për shkak të sëmundjes ai është nën kujdesin e një kujdestari, ai është i sëmurë edhe nga diabeti i varur nga insulina për të cilin i duhet të marrë insulinë vetinjektuese dy herë në ditë.
Gjithashtu Jon Harrison në vitin 2009 ishte diagnostikuar me kancer të zorrës së trashë, gjë pas së cilës u operua, është gjetur se janë bërë gabime gjatë operimit duke e lënë Jonin me infeksion kullues të vazhdueshëm në murin e poshtëm të legenit të tij që nga atëherë.
John Harrison ka qenë pjesëtarë vullnetar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkrah brigadës 138 “Agim Ramadani “, ai është dekoruar me çmimin “Adem Jashari” nga ish-presidentit i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ndërsa atij i është dhënë edhe statusi i veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga kryeministri i Kosovës Isa Mustafa. /Insajderi.com