Përmes një komunikate të lëshuar për medie, Vetëvendosje e ka bërë përgjegjëse KEDS-in dhe menaxhmentin e fabrikës së “Ferronikelit” për ndërprejet e gjata të energjisë elektrike në Komunën e Drenasit gjatë ditëve të fundit.
“Në bazë të informacioneve jozyrtare që i kemi , menaxhmenti i fabrikës së “Feronikelit” në mënyrë arbitrare ka pamundësuar shfrytëzimin e trafo- stacionit ( që ndodhet në zonën e fabrikës), i cili i përket linjës furnizuese të Kosovës B. Tani Komuna e jonë po furnizohet me energji elektrike nga linja e Kosovës A, e cila ka kapacitet të kufizuar dhe rrjet të vjetërsuar që nuk garanton energji të rregullt dhe stabile”, thuhet në reagimin e VV-së.
VV bënë të ditur se nga “papërgjegjësia” e KEDS-it, rreth 70 mijë banorë dhe 1 mijë biznese në Komunën e Drenasit janë dëmtuar, raporton Insajderi.
“Ky kolaps energjetik në Komunën e Drenasit i shkaktuar nga veprimi joligjor i menaxhmentit tëi Feronikelit dhe nga mosveprimi adekuat i KEDS, ka pamundësuar zhvillimin e jetës normale të mbi 70.000 mijë qytetarëve dhe ka çrregulluar veprimtarinë e mbi 1000 mijë bizneseve që ndodhën në Komunën tonë”, njofton Vetëvendosje.
Vetëvendosje ka kërkuar nga institucionet komunale dhe qendrore që sa më parë t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e domosdoshme ligjore, për ta kthyer normalitetin në Komunën e Drenasit. /Insajderi.com