
Lëvizja Vetëvendosje ka adresuar kritika në drejtim të Partisë Demokratike të Kosovës pasi deputetët e këtij subjekti politik nuk morën pjesë në votimin e propozimit të VV’së, Albulena Haxhiun, për kryekuvendare.
Ishte shefja e Grupit Parlamentar të VV’së, Mimoza Kusari-Lila, e cila fillimisht dha një interpretim kushtetues lidhur me mospjesëmarrjen në votim në rastin e zgjedhjes së kryekuvendarit në seanca konstituive, shkruan Insajderi.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në Rastin Nr. KOU9/14, pika 128 thotë se “Në konstituimin e Kuvendit, të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë si të dëshirojnë, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, të votojnë “për”, “kundër” ose të abstenojnë, dhe nuk mund të lirohen nga të vepruarit kështu”.
“Dje në pikën për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit, kishte deputetë që nuk morën pjesë fare në votim. Mosvotimi sipas këtij Akgjykimi konsiderohet shkelje. Ky veprim nuk mund të përsëritet nesër gjatë vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit”, shkroi ajo.
Pas saj reagoi edhe ish-zëvendësministri i Drejtësisë në Qeverinë Kurti 2, Blerim Sallahu, duke kërkuar reagim për këtë.
“A ka anëtarë të shoqërisë civile, ndonjë analist e gazetar, njohës të kushtetutës e ligjeve që e hap gojën për raste kur PDK vepron kundërligjshëm dhe kundër kushtetutës apo kriter për të na përndritur është nëse çështja ka të bëjë vetëm me LVV-në?”, ka shkruar ai në ‘Facebook’.
Lëvizja Vetëvendosje nuk i pati votat e mjaftueshme që ta procedojë për kryekuvendare Haxhiun përgjatë së shtunës. Ajo arriti t’i marrë vetëm 57 vota, kurse për kalimin e të parit të Kuvendit nevojiten 61 vota. /Insajderi.org/