
Lëvizja Vetëvendosje konsideron se Adem Grabovci, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, është vetëm personi ekzekutues “i një grupi kriminal” ku drejtues janë Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Për këtë qëllim, Vetëvendosje ka kërkuar që Prokuroria e Shtetit të mos ndalet vetëm me hetimin e Grabovcit në lidhje me përgjimet telefonike, por që kjo të ndodhë edhe me Thaçin e Veselin.
Në të kundërtën, kryetari i kësaj partie, Visar Ymeri, ka thënë se në këtë rast “nuk kemi të bëjmë me drejtësi të plotë.”
Ai ka folur në një konferencë për media të shtunën së bashku me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin. Që të dy kanë thënë se për të shkuar në fund këtyre hetimeve, nevojitet edhe presioni qytetar.
“I ftojmë qytetarët që ta mbajnë presionin lartë. Në asnjë mënyrë qytetarët nuk duhet të ndalin protestat dhe të qetësohen”, ka thënë Ahmeti.
Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se vendimi për hetim është bazuar në ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm se i pandehuri Adem Grabovci, si person zyrtar, deputet dhe kryetar i grupit parlamentar të PDK-së, gjatë vitit 2011 e tutje, ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar për ta siguruar pushtetin politik dhe ndikimin mbi procesin e vendimmarrjes brenda institucioneve, agjencive qeveritare dhe ndërmarrjeve publike të Republikës së Kosovës.
Por, Adem Grabovci mund të mos mbetet protagonisti i vetëm i Dosjes së Shefave ndaj të cilit Prokuroria e Shtetit ka nisur hetime.
Kështu ka paralajmëruar të premten prokurorja Drita Hajdari, e cila ka thënë se nëse gjatë hetimeve për përgjimet zbulohet “diçka e dyshimtë ose elemente të veprës penale, ne nuk do të hezitojmë.”
Në këtë kontekst, hetimet mund të nisin edhe ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të PDK-së të cilët dëgjohen në një numër përgjimesh telefonik të bëra publike nga Insajderi.
“Do të ngritim hetime ndaj çdo zyrtari duke përfshirë edhe ata në poste të larta të Qeverisë së Kosovës. Nuk do të bëjmë përjashtim për askënd, sepse e kemi vullnetin dhe mbështetjen për t’i quar përpara hetimet. Ekipi i prokurorëve sot kemi nxjerrë një aktvendim për fillimin hetimeve në bazë të provave fillestare me të cilat disponojmë ndaj Adem Grabovcit. Tani do të shohim se ku dhe te kush do të na qojnë hetimet”, ka thënë Hajdari./Insajderi.com