×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Vetëvendosje në Gjilan vazhdon t’i rehatoj familjarët, kësaj here në QKMF

    Insajderi
    15 October 2024 - 15:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Punësimet familjare në komunën e Alban Hysenit të Vetëvendosjes nuk kanë të ndalur. Së fundmi është publikuar lista e kandidatëve të përzgjedhur me më së shumti pikë në QKMF “Dr. Nagip Rexhepi”. Në mesin e të punësuarve janë: kunata e një drejtoreshe në Gjilan, vajza e doktoreshës koordinatore e cilësisë, madje edhe motra e shokut të Hysenit. Insajderi ju sjell detaje të hollësishme të këtyre punësimeve.

    Gazeta Insajderi

    Me datën 11 tetor 2024, Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjilan, ka publikuar listën përfundimtare për vlerësimin e kandidatëve me më së shumti pikë.

    Konkursi ka qenë për pozitat: Mjek i përgjithshëm, Mjek Stomatolog i përgjithshëm, Teknik me bachelor të Radiologjisë dhe Infermiere e përgjithshëm me bachelor, në QKMF “Dr. Nagip Rexhepi”.

    Në mesin e shumë aplikuesve, janë pranuar vetëm shtatë kandidatë.

    Tre prej tyre dalin të jenë familjarë të personave të Vetëvendosjes.

    Në pozitën për Mjek të përgjithshëm janë pranuar dy kandidate me më së shumti pikë.

    Flutura Rexhepi është kandidatja e parë pranuar në pozitën e Mjekës së Përgjithshme e cila ka 91.6 pikë në total.

    Flutura Rexhepi është motra e Burhan Rexhepit. Burhan Rexhepi është shok i kryetarit të Gjilanit, Alban Hysenit.

    Burhani e shfaq hapur shoqërinë e tij me Hysenin. Në një postim të ndarë me 29 gusht, shihet dyshja të ulur së bashku në tavolinë.

    “Duke kujtuar të kaluarën dhe menduar të ardhmen”, kishte shkruar Rexhepi, duke nënkuptuar se shoqëria e tyre është e kahmotshme.

    Për pozitën “Infermiere e përgjithshme” është përzgjedhur e punësuar Erëmira Isufi Murati. Erëmira ka 88.6 pikë totalisht nga testi me shkrim dhe intervista me gojë.

    Erëmira është gruaja e vëllaut të Drejtoreshës për Buxhet dhe Financa në Gjilan, Herolinda Murati -Leka.

    Pra, më qartësisht Erëmira Isufi- Murati është kunata e drejtoreshës për Buxhet dhe Financa.

    Kjo dëshmohet edhe në bazë të publikimeve të tyre.

    Në vitin 2022 Leotrim Murati, burri i Erëmirës, i ka uruar titullin Dr.Sc, motrës së tij, Herolinda Muratit, njëkohësisht drejtoreshë në Gjilan.

    Raporti i dy kunatave duket se është i mirë edhe në bazë të komenteve që i bëjnë njëra tjetrës në rrjete sociale.

    Në pozitën tjetër, për “Mjek Stomatolog i Përgjithshëm” është zgjedhur kandidatja Yllnora Ibrahimi Ramadani. Yllnora Ibrahimi ka mbledhur 90.6 pikë nga intervista me goje dhe testi me shkrim.

    Yllnora Ibrahimi është vajza e Ramize Ahmetit-Ibrahimi.

    Ramize Ahmeti ka qenë doktoreshë, punëtore shëndetësore në kuadër të kujdesit parësor shëndetësor. Ndërsa tani ajo është koordinatore e cilësisë.

    Në vitin 2022, doktoresha Ramize Ahmeti, i kishte uruar ditëlindjen vajzës së saj Yllnora Ibrahimit.

    “Urime ditëlindjen zemra ime Yllnora”, kishte shkruar ajo.

    Gazeta Insajderi u ka dërguar pyetje personave të përmendur më lartë, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje.

    Poashtu, Insajderi ka dërguar pyetje edhe në komunën e Alban Hysenit, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

    Në komunën e Gjilanit tash e sa kohë është duke pasur reagime e akuza për punësime partiake e familjare./Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark