
Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar punimet e Kuvendit të Kosovës për një periudhë 25-ditore, në kuadër të shqyrtimit të një ankese nga Lista Serbe, është konsideruar nga Lëvizja Vetëvendosje si “një diktat”, që vendos në pauzë funksionimin e njërit prej institucioneve kyçe të shtetit.
Në një reagim kjo parti ka ngritur pikëpyetje lidhur me arsyeshmërinë e këtij vendimi dhe ndikimin që ai ka në jetën institucionale të vendit.
“Çdokush do të pyeste me të drejtë pse u pa e nevojshme kjo masë, dhe pse i nevojiten Gjykatës Kushtetuese 25 ditë për të shqyrtuar një kërkesë të tillë”, thuhet në reagim.
Ky është postimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese pezulloi Kuvendin për 25 ditë për ankesën e Listës Serbe
Sot Gjykata Kushtetuese mori vendim për masë të përkohshme lidhur me ankesën e Listës Serbe.
Çdokush do të pyeste me të drejtë pse u pa e nevojshme kjo masë e pse i nevojitet Gjykatës Kushtetuese 25 ditë pezullim i punës së Kuvendit pas një kërkesë të Listës Serbe?
Gjykata Kushtetuese që në krye të herës ka mbajtur anë duke marrë këtë vendim sot. Ndalimi i punës së 120 deputetëve është në kundërshtim të plotë me funksionalizimin e një nga institucioneve më të rëndësishme të shtetit siç është Kuvendi.
Ky diktat i Gjykatës Kushtetuese që ka vendosur Kuvendin në pauzë pse Lista Serbe nuk mori votat e mjaftueshme për të pasur një Nënkryetar, po i çon në 112 ditët e pritjes së vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, prej 15 prillit kur dhe filloi procesi i konstituimit të Kuvendit.
Në tekstin prej 15 faqesh që Gjykata ka përgatitur për të përmbledhur faktet dhe arsyetimin e masës është paraqitur disa herë vlerësimi i ankuesve se atyre u takon ekskluziviteti i propozimit dhe zgjedhjes së Nënkryetarit. Kjo nuk është thënë as në Kushtetutë, kjo nuk është as fryma e organizimit të shtetit të Kosovës. Çdo interpretim e aktgjykim që do të shkonte në këtë drejtim do të ngurtësonte të drejtën e vetos në konstituimin e Kuvendit nga Lista Serbe. Kjo parti, dhe asnjë parti që ka vende të rezervuara në Kuvend nuk duhet dhe nuk e ka të drejtën e vetos për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.