Ka mjaftuar një reagim i Lëvizjes Vetëvendosje në të cilin fton Prokurorinë që të hetojë sipas tyre “zhvatjen e diasporës që po bëhet nga Rrahim Pacolli dhe Gani Thaçi”, që këta dy të shpërthejnë në akuza me njëri-tjetrin.
“Përmes mashtrimit të ri, me qëllimin gjithnjë të vjetër, Kadri Veseli, priti para dy ditësh në konsultë Kryetarin e Këshillit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Rrahim Pacollin që së bashku me Gani Thaçin, përbëjnë dyshen grabitqare të mërgimtarëve në pikat kufitare të Kosovës”, reagoi VV-ja, teksa kërkoi që këta të dy “të bëhen objekt i hetimit dhe të dërgohen para gjykatës”.
Një orë më vonë, reagoi Rrahim Pacolli, kushëriri i Behxhet Pacollit, që drejton një prej kompanive më të mëdha të sigurimeve.
“Të akuzosh dikë për këto nuk është fare etike, madje emri im të lakohet me atë të Gani Thaçit është diçka diametralisht e kundërt. Unë nuk jam person që rrjedh nga qarqet politike, unë drejtoj një kompani të sigurimeve me pjesëmarrje të madhe në tregun e sigurimeve dhe për asnjë moment nuk kam përfituara as edhe një cent nga të hyrat e policave të sigurimit kufitar bazuar në aktet normative të BKS-së , jam anëtar me të drejta të plota në organet e BKS-së dhe në kuadër të këtyre organeve e mbaj postin e Kryetarit të Këshillit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve”, reagoi Pacolli, por pak më vonë i ra pishman që ka përmendur vëllain e Hashim Thaçit, duke e hequr emrin e tij.
“Të akuzosh dikë për këto nuk është fare etike, madje emri im të lakohet me qëllim te dezinformimit te opinionit është diçka diametralisht e kundërt me të vërtetën”, shkroi Pacolli, pasi përmirësoi statusin e tij në Facebook.
Por pikërisht kjo bëri që Gani Thaçi, vëllai i presidentit Hashim Thaçi t’i reagojë VV-së dhe vet Pacollit.
Madje bashkë me reagimin ka dërguar edhe një fotografi ku shihet ndryshimi i statusit të Pacollit.
“E vërteta më e madhe në këtë reagim është se aty ku thekson z. Pacolli qe emrat tonë janë DIAMETRALISHT të kundërt, dhe shumë mirë që janë të kundërt, por se a rrjedh z. Pacolli nga qarqet politike apo jo opinion e din më së miri këtë fakt, andaj lidhur me këtë e theksoj një argument të thjeshtë, i njëjti në një periudhë të shkurtër jo të largët kohore ka qenë edhe president I një partie politike në vend”, ka shkruar Thaçi.
Thaçi vazhdon të shpreh çudinë për Pacollin duke shtruar një pyetje.
“Një gjë me çudit në reagimin e z. Pacollit, pasi ka një Kompani të Sigurimeve të cilën e drejton, përse ai thotë qe nuk është përfitues i të hyrave nga polisat kufitare??”, shkruan Thaçi./Insajderi.com