Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se hetimet për rastin e aktivistit të vdekur të tyre, Astrit Dehari, janë duke u drejtuar nga njerëz pa kredibilitet.
Në një konferencë për media, deputetja Albulena Haxhiu dhe avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, shprehen shqetësimin që kërkesa për hetime nga njerëz të pavarur dhe profesional nuk po merret parasysh, dhe hetimet po kryhen nga njerëz të dyshuar për vepra penale, siç është rasti i prokurorit Metush Biraj.
Deputetja Albulena Haxhiu tha se emri i Metush Birajt është nëpër dosje të Komisionit Disiplinor të Këshillit Prokurorial të Kosovës, dhe atij edhe i është shqiptuar masa e parafundit disiplinore, dhe shtoi se pas kësaj mase vjen vetëm suspendimi.
Ajo tha se Biraj është shërbëtor i zellshëm i Sylë Hoxhës dhe pushtetit, i dyshuar për vepër penale dhe i njëjti nuk mund ta sjellë drejtësinë për Astritin.
“Ju kujtohet kur menjëherë pas vdekjes së Astritit, gjegjësisht dy ditë pas, Kryeprokurori Sylë Hoxha, na tha se kemi angazhuar edhe një prokuror tjetër për t’i përshpejtuar hetimet. Ai ishte prokurori Metush Biraj. Në kohën kur Sylë Hoxha, ishte kryeprokuror i shtetit, kishte lënë dorën e djathtë të tij, si kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Prizren, Metush Biraj”, deklaroi Haxhiu, duke shtuar se Biraj vazhdon të mbetet njeri i afërt i Sylë Hoxhës, i cili u zgjodh kryeprokuror nga klani “Pronto”.
Haxhiu theksoi se Biraj është i dyshuar për vepër penale të konfliktit të interesit sipas nenit 424 të Kodit Penal dhe hetimet për këtë sipas Agjencia Kundër Korrupsionit mund të hapen në çdo kohë.
“Metush Biraj, si ushtrues detyre i kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, kishte rekomanduar që për ish – gjyqtarin Elez Hoxha, i dyshuar për korrupsion, të ulej dënimi.Praktika tregon që prokurorët kërkojnë rritjen e dënimit, kurse gjyqtari e zvogëlon nga dënimi maksimal që kërkon ai. Por në këtë rast është e kundërta. Dhe kjo, vetëm për një arsye të thjeshtë, se personi të cilin po e hetonte për mijëra euro korrupsion, Elez Hoxha, është vëllai i Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha. Ndërkaq Sylë Hoxha, e kishte bërë Metush Birajn ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit. Pra Metush Birraj, lehtësisht mund të konsiderohet si një prokuror që i shërben Sylë Hoxhës dhe jo drejtësisë”, deklaroi deputetja Haxhiu.
Tutje, Haxhiu tha se prokurori i rastit më të ndjeshëm sot në Kosovë, rastit të vdekjes së aktivistit Astrit Dehari, po udhëhiqet nga një njeri pa kredibilitet që hiç më larg se viti i kaluar është përfshirë në konflikt të rëndë interesi, dhe kjo e pamundëson zbardhjen e rastit
“Për aktivistin dhe studentin shembullor Astrit Dehari, duhet të bëhet një hetim i pavarur, ashtu siç po kërkon edhe familja Dehari. Astriti ka luftuar për të drejtën sa ishte gjallë. Sot, është e drejta e këtij njeriu që s’është më, që të vihet drejtësi për të”, tha në fund të fjalës së saj Haxhiu.
Kurse avokati, Tomë Gashi, njoftoi që ka paraqitur disa kërkesa pasi Ministria e Drejtësisë ka lejuar angazhimin e ekspertëve të pavarur të caktuar nga familja në obduksionin e Astritit. Ai tha se ata kanë marrë pjesë në obduksion, por theksoi që për të dalë me raportin përfundimtar, këtyre ekspertëve iu duhen provat e dokumentacioni përkatës. Këto të fundit po iu pamundësohen këtyre mjekëve ligjor pikërisht nga prokurori Metush Biraj.
“Unë kam parashtruar këtë kërkesë, me të cilën kam kërkuar ditë më parë, që të na jepen kopjet e të gjitha fotografive të rastit të obduksionit, kopjet e fotografive të dhomës ku ka qëndruar Astriti, si dhe të na sigurohet një kopje e inçizimeve që janë marrë nga korridori i burgut. Ne kemi pasur njoftim nga ekspertët e mjekësisë ligjore se ata nuk e kundërshtojnë këtë, mirëpo zoti Metush Biraj që qështë prokuror i rastit, në formë të shkruar është përgjigjur se këto nuk mund të na japë”, sqaroi avokati Gashi.
Për ketë Gashi tha se i ka dërguar shkresë edhe Kryeprokurorit Sylë Hoxha, por nga ky i fundit nuk ka marrë një përgjigje. Ndërsa, theksoi se nuk ka kuptim që ekspertët e mjekësisë ligjore të caktuar nga familja janë lejuar të marrin pjesë në obduksion, kurse iu pamundësohet nga Prokurori i Shtetit që të posedojnë provat dhe dokumentacionin që e kanë mjekët e tjerë ligjor.
“Kjo është edhe arsyeja pse ne ende nuk kemi mundur të angazhojmë ekspertë të pavarur të të gjitha lëmive që duhen të jenë për të dhënë një mendim përfundimtar për arsyet e vdekjes së Astritit sepse na pamundësohet marrja e materialeve të cilat ata do t’i përdorin për dhënien e mendimit të tyre”, tha ndër të tjera, avokati Gashi.
Siç kemi bërë të ditur edhe më parë, Kryeprokurori Sylë Hoxha, Drejtori i Policisë Rajonale të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, dhe gjyqtari Vehbi Kashtanjeva, kanë qenë kontradiktorë që nga vdekja e Astritit me deklaratat e dhëna për rastin. Së bashku me Metush Birajn, të katërtit janë njerëz të afërt me klanin “Pronto”, të cilët me zell ndihmojnë dhe punojnë për këtë organizim kriminal brenda institucioneve të drejtësisë. Prandaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe familja Dehari nuk ka fije besimi në një hetim të udhëhequr na këta njerëz, dhe rrjedhimisht, kërkojmë vendosmërisht hetim të pavarur dhe profesional nga hetues të caktuar nga familja.