“Vetëviktimizimi” i Albinit, si revansh ndaj rendit kushtetues - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    “Vetëviktimizimi” i Albinit, si revansh ndaj rendit kushtetues

    Insajderi
    26 January 2021 - 19:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nga Mero Baze

    Një komision apelimi në Kosovë hodhi poshtë kërkesën e Albin Kurtit për të kandiduar në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke e konsideruar vendimin tani e tutje dhe një normë kushtetuese për vendin, e cila ka fuqi mbi çdo kuadër tjetër ligjor.

    Pas kësaj, Kurti vazhdon të këmbëngulë se do të kandidojë dhe e ka çuar çështjen në Gjykatën Supreme.

    Përfundimi është i qartë për të gjithë. Albin Kurti dhe deputetët e tjerë të dënuar nuk mund të kandidojnë.

    Por beteja e Albin Kurtit ka të bëjë me diçka tjetër.

    Albin Kurti nuk humbet asnjë votë nga fakti që nuk kandidon. Madje mund t’i shtohen votat për Vetëvendosjen, duke u viktimizuar. Ai po ashtu nuk humbet autoritetin brenda partisë nga kjo masë, përkundrazi me atë mentalitet që ka parti e tij, karshillëku ndaj ligjit është vlerë.

    Arsyeja përse Albin Kurti e bën këtë betejë është pikërisht kjo. Ai kërkon t’i imponohet shoqërisë në Kosovë duke mos respektuar ligjin.

    Beteja e tij politike përveçse viktimizimin e tij forcon perceptimin se ai është një “lider suprem”, që nuk pyet për ligjin, Kushtetutën dhe institucionet, pasi ka popullin nga pas.

    Kjo është beteja reale e tij këto ditë.

    Nuk ka lidhje me kandidimin se kandidimi është punë e mbaruar që nuk lejohet. Fletën e votimit e prodhon KQZ.

    Nuk është as punë e votave. Se ato do t’i marrë ndoshta më shumë. E gjitha është një kryengritje kundër shtetit, dhe ligjit, për t’iu imponuar si “lider suprem”, dhe duke kërcënuar përmes një kukulle që kryen detyrën e Presidentes dhe që kërcënon KQZ-në se do ta shkrijë nëse zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    Qëllimi i tij është të prezantohet si dikush që nuk pyet për askënd, as për Kushteutën as për ambasadorët e Quintit në Kosovë që u detyruan të dalin me një qëndrim të përbashkët duke bërë thirrje të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Për kaq e bën gjithë këtë rezistencë fallco. /Insajderi.org


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark