×
  • Lajme
  • Lajme

    Veton Elshani dha urdhër të largoheshin kamionët- Detaje nga momenti kur terroristët filluan të gjuanin në Banjskë

    Insajderi
    17 September 2024 - 20:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Aktakuza kundër terroristëve të rastit të Banjskës e Prokurorisë Speciale tregon në detaje pak minuta para se këta të fundit filluan të shtinin në drejtim të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, ku për pasojë mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

    Në aktakuzën të cilën e ka parë Insajderi, më saktësisht në dëshminë e një zyrtari policor i cili ishte në vendngjarje, thuhet se derisa ishin duke patrulluar tek ura e fshatit Banjskë, kanë vërejtur dy kamionë të mbushur me rërë që kishin bllokuar rrugën.

    Sipas dëshmisë të këtij zyrtari policor, qendra komanduese iu kërkoi zyrtarëve policorë në ato momente që të fotografonin kamionët dhe t’ua dërgonin atyre. Më pas, njëri nga policët kishte telefonuar zëvendëskomandantin e Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshanin, i cili kishte dhënë urdhër për largimin e tyre nën dyshimin se ishin vënë nga persona që merreshin me kontrabandë.

    Pas kësaj, kolegu i tha këtij (dëshmitarit) se ai duhet të flasë në telefon me Veton Elshanin, sepse ai po fliste me të në atë moment. Më pas përmes telefonit e ka njoftuar Veton Elshanin në detaje për rastin, i cili përmes telefonit ka thënë se kamionët duhet të hiqen nga rruga, se dyshohet se janë vendosur nga kontrabandistët dhe ka kërkuar që të qëndrojnë aty dhe të presin deri në ardhjen e një njesie nga stacioni policor i Zveçanit.

    Me të mbërritur ajo njësi, ai ka kryer kontrollin sipërfaqësor të kamionit me drita dhe gjatë kontrollit ka vërejtur se dera e shoferit të kamionit është e hapur, ndërsa kamioni brenda urës ishte i mbyllur. Përafërsisht pas 20-30 minutash kanë mbërritur dy vetura nga Stacioni Policor i Zveçanit dhe janë ndalur 20-30 metra para urës në anën e majtë të rrugës. Pasi janë ndaluar automjetet, një rreshter së bashku me dy policë të tjerë erdhi tek ai në këmbë, dhe ai (dëshmitari) kontaktoi rreshterin dhe e njoftoi për rastin. Dëshmitari i kërkoi që t’i largonte kamionët nga rruga së bashku me një nga policët e tij, sepse kishte porosi nga Veton Elshani përmes telefonit. Pasi lajmëroi rreshterin, me të erdhi një polic dhe ata iu afruan kamionëve që bllokonin urën”, thuhet ndër të tjera në dëshminë e policit që përshkruhet në aktakuzë.

    Dëshmitari rrëfen në detaje se si pasi që zyrtarët e tjerë policorë iu kishin afruar kamionëve, terroristët e Banjskës filluan të gjuanin në drejtim të tyre. Madje tregon edhe se si u vra tragjikisht rreshteri Afrim Bunjaku.

    Ai (dëshmitari) shkoi te kamioni që ishte brenda urës, ndërsa një polic tjetër nga Stacioni Policor i Zveçanit iu afrua kamionit me derën e hapur. Kur ka tentuar të hapë derën e kamionit, kanë nisur të shtënat drejt tyre dhe në atë moment është tërhequr nga kamioni në drejtim të kolegëve të tij në vendin ku ishin pozicionuar.

    Teksa ishte duke ecur në drejtim të kolegëve, pa rreshterin që ndodhej përballë tij në një distancë prej 5-7 metrash dhe papritmas pa se afër tij shpërtheu një detonator në të djathtë dhe vuri re se pas atij shpërthimi rreshteri ra përtokë. Më pas i është afruar dhe ka vërejtur se kishte lëndime në pjesën e qafës dhe kishte gjakderdhje, tentoi ta tërhiqte në një vend më të sigurt, por nuk ia doli për shkak të gjuajtjes së vazhdueshme në drejtim të tyre. Në atë moment ai ka filluar të qëllojë në drejtim të sulmuesit dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar nga kolegët e tij që të qëllojnë në të njëjtin drejtim, si dhe të kërkojë nga kolegu që të sjellë një automjet për të nxjerrë rreshterin (Afrim Bunjaku)”.

    Kolegu ka tentuar ta drejtojë veturën, por automjeti ka qenë i palëvizshëm nga të shtënat dhe ai ka lënë veturën dhe ka ardhur në drejtim të tyre. Në atë moment ai (dëshmitari) ka shkuar te vetura dhe ka tentuar ta ndezë, por as nuk ia ka dalë dhe është kthyer në pozitën ku ka qenë më parë, afër rreshterit. Kur u kthye në atë pozicion, ai u kërkoi kolegëve të tij që ishin aty pranë të qëllonin në dritat e rrugës, ata e kryen këtë detyrë.

    Më pas ai kërkoi nga disa kolegët që ndodheshin më larg që të sillnin automjetin që ishte afër tyre, që të nxirrnin rreshterin e plagosur, por për shkak të të shtënave të forta, ata nuk mundën të orientoheshin, kështu që ai vendosi të shkonte vetë për të marrë mjetin që ishte afër tyre dhe e solli në vendin ku ndodhej rreshteri i plagosur. Duke u tërhequr nga vendi i ngjarjes, afërsisht 20-30 metra larg, ka ndaluar mjetin dhe ka komunikuar me kolegun e tij dhe i ka thënë që t’i kthejë të gjithë dhe në atë moment ka vërejtur një automjet që po vinte në drejtim të tyre.

    Ai mjet ishte i Ndërhyrjes së Shpejtë, Njësia nga Kushtova. Pasi ka komunikuar me kolegë, ai u ka thënë se në automjet ndodhej një polic i plagosur rëndë dhe se në vendngjarje ka mbetur edhe një polic me plagë të lehta. Ata kanë vazhduar në vendin e ngjarjes, ndërsa ky (dëshmitar) ka vazhduar me policin dhe rreshterin e plagosur në spitalin e Mitrovicës, ku pas mbërritjes në spital, mjekët i kanë njoftuar se rreshteri kishte vdekur”, thuhet në aktakuzë.

    Në fund, siç thotë aktakuza, ai shtoi se ndihet i dëmtuar si fizikisht për shkak të lëndimeve në gjurin e djathtë, por edhe psiqikisht për shkak të humbjes së kolegut Bunjaku, e cila ende mbetet traumatike për të. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark