Një 22 vjeçare ka vdekur sot si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur sot në magjistralen Kaçanik – Hani Elezit. Sipas Policisë, në rrethana të pasqaruara, ajo ka humbur kontrollin mbi automjet dhe ka dalë jashtë rrugës duke rënë në humnerë disa metra.
Për humbjen e saj ka njoftuar edhe kompania “ETC” ku ajo ishte e angazhuar.
Me dhimbje të thellë njoftojmë se sot humbëm punëtoren tonë të dashur, Laurina Kuqi, e cila ndërroi jetë në një aksident tragjik.Laurina do të mbetet një pjesë e pazëvendësueshme e familjes sonë në ETC. Do ta kujtojmë çdo herë për enërgjinë, përkushtimin dhe pozitivitetin e saj .Pusho në paqe, Laurina. Kujtimi yt do të jetojë përjetë”, kanë shkruar nga kompania “ETC”
Në njoftimin e dhënë sot nga Policia e Kosovës, është bërë e ditur se 22 vjeçarja dyshohet se është aksidentuar për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës, dhe si rezultat ka kaluar barrierat e rrugës që çon nga Hani i Elezit në Kaçanik dhe ka rënë poshtë 32 metra.
“Ekipe të policisë së rendit të stacionit të Kaçanikut, zjarrfikësit dhe ambulanca kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Njësia e Hetimeve të Aksidenteve të Njësisë së Komunikacionit Rrugor të Ferizajt, të cilët pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes kanë mësuar se një veturë Nissan, derisa ka qarkulluar në rrugën magjistrale nga drejtimi i Hanit të Elezit në drejtim të Kaçanikut, me të arritur tek vendi i quajtur ‘Kulla me qeshmë’, shoferja L.K ( F/K) e moshës 22 vjeçare, dyshohet se për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit, kushteve të rrugës dhe kthesë në të djathtë, ka humbur kontrollin mbi automjet dhe kalon në anën e majtë të rrugës, godet barrierat e rrugës dhe bie poshtë rrugës 32 m, në shtratin e hekurudhës”, thuhet në njoftim.