Qyteti i Vlorës u trondit sot nga një atentat me armë zjarri, ku mbeti i vrarë biznesmeni 40-vjeçar, Bledar Birçaj.
Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë. Siç shihet edhe nga pamjet, BMë-ja me të cilën udhëtonte Bledar Birçaj, është qëlluar disa herë me armë në pjesën e përparme të xhamit.
Në drejtim të makinës është qëlluar 15 herë. Birçaj është emër i njohur në qytetin e Vlorës, ai ishte pronar i bar-kafeje në qytetin e Vlorës.
Ai kishte tre javë që ishte kthyer në atdhe, pasi jetonte në Spanjë. Mediet në Shqipëri kanë publikuar pamjet ku makina e 40-vjeçarit ishte objekt i sulmit me armë, si dhe momentet e punës së grupimit hetimor të posaçëm të policisë.
“Në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip” BMË” me drejtues shtetasin B. B rreth 40 vjeç ,i cili si pasojë e plagëve të marra është transportuar në spitalin e Vlorës, ku dhe ka ndërruar jetë. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet n? vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Shërbimet e Policisë të D.V.P. Vlorë, të Komisariatit të Policisë Vlorë po krehin zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e autorit”, thuhet në njoftimin e policisë.