
Në një skenë që më shumë ngjan me një sketch humoristik sesa me një realitet tragjik të një shteti funksional, Elvis Shkambi, pas ekzekutimit të gjyqtarit Astrit Kalaja me armë brenda sallës së gjyqit, del i qetë në oborr dhe pret policinë me durim, me edukatë, pa stres.
Siç shihet nga pamjet ekskluzive për JOQ, kamera e sigurisë ka kapur momentin kur vrasësi, bashkë me xhaxhain e tij, qëndrojnë si dy qytetarë shembullorë në pritje të… rendit. Po, po, rendit që erdhi si zakonisht me vonesë, me hutim, dhe me shumë zhurmë për asgjë.
Hyn më në fund forca e rendit më saktë, forca e shfaqjes që nuk i gjeti dot autorët, por u njoftuan nga vetë autori: “Hajdeni, unë jam vrasësi!” Ndoshta kjo duhet të futet në manualet e policisë për raste të ardhshme në vend që të hetojnë, le të presin që kriminelët të vetë-denoncohen.
Uniformat blu më pas futen në të ashtuquajturën kapje dhe neutralizim të autorit, thërrasin përforcime nga jashtë Gjykatës, policët që po prisnin të kapin autorin, bëjnë sikur kapin autorin dhe xhaxhin e tij, fiks si aktorë në një film amator.
Për ta përmbyllur, në vend të një shteti që funksionon, kemi një regji amatore që jep shfaqje publike, me kosto jete dhe me biletën e paguar nga ne të gjithë.
Ky shkrim është marr nga faqja “Jeta Osht Qef”./Gazeta Insjaderi/