Imam Ahmed Kalaja, që së bashku me futbollistin e Kombëtares, Andi Lila, u bënë protagonistë të një videoje të shpërndarë nëpër rrjetet sociale me shpejtësi, ku tregoheshin barcaleta me priftërinj, foli në emisionin e “Pasdites” në Top Channel.
Ai tha se videoja dhe ato që janë bërë aty ishin një gabim dhe një mësim i mirë për të.
“Ka qenë një gabim i madh dhe nuk kishte pse të shkonte deri aty. Pavarësisht se shaka të tilla bëhen shpesh në ambientet tona, por kur bëhet nga një hoxhë është shumë gabim”, deklaroi ai.
Imam Kalaja thotë se në shumë portale u ekzagjerua me titujt dhe lajmet e hedhura, njofton Tch.
“U teprua edhe në lajm, mënyra sesi u bë lajm, pa patur parasysh se prek dikë apo dikë tjetër. Kam patur një shqetësim, jo vetëm timin, por edhe familjar. Në media u keqintepretua duke thënë se; u ofenduan ortodoksët shqiptarë, apo që u ofenduan të krishterët. Ne jemi shumë miq dhe thjesht po bënim shaka”, thotë ai.
Lidhur me reagimin e njerëzve, shton se ata ishin ndarë në dy grupe.
“Disa më thonin që “hë mo se kështu jemi ne” dhe të tjerë që më thonin se kam bërë shumë gabim. Unë pasi e analizova mirë videon them se kam bërë gabim”, shprehet ai.
Imam Ahmed Kalaja thotë se ishte një gabim që nuk duhej bërë dhe një mësim i mirë për të, ndërsa shton se për të ky është një kapitull i mbyllur.