Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, ka folur për propozimin e presidentit, Hashim Thaçi për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.
Ajo ka thënë se definimi i mandatit të FSK-së është vendim i Kosovës dhe çdo ndryshim që bëhet duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Definimi i mandatit dhe strukturës së FSK-së është vendim sovran i Kosovës. Megjithatë çdo ndryshim do të duhej të bëhej në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe nëpërmjet një procesi transparent politik, në të cilin do të përfshiheshin të gjitha palët”, ka thënë Viets, në një intervistë për RTK.
Ajo ka thënë se duhet të rishikohet draftligji i propozuar nga presidenti Hashim Thaçi, për shndërrimin e FSK-së në ushtri.
“Vendimmarrësit duhet të marrin në konsideratë deklaratën e NATO-s, sipas të cilës NATO-s do t’i duhej ta rishikonte nivelin e angazhimit, në veçanti për sa i përket ndërtimit të kapaciteteve të FSK-së, në qoftë se miratohet draftligji i propozuar”, është shprehur ajo.
Ajo ka thënë se “ne jemi të brengosur që ky propozim e pengon bashkëpunimin e Kosovës me NATO-n dhe e ngadalëson procesin e normalizimit”, ka përfunduar ajo.