
Sipas kumtesës nga Ministria e Kulturës, në një ceremoni të organizuar me këtë rast, i pari i kësaj ministrie, Kujtim Gashi, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, vunë simbolikisht gurthemelin që nis projektin për ndërtimin e shtëpisë muze të heroit Mala, projekt i cili është bashkëpunim i Ministrisë së Kulturës, Komunave të Kamenicës e Gjilanit.
Gashi e konsideroi këtë ditë jashtëzakonisht të rëndësishme për faktin se po nis projekti për dokumentimin dhe vënien në kujtesë të veprimtarisë së Rexhep Malës, Nuhi Berishës e bashkëveprimtarëve të tjerë.
“Ka qenë përpjekje e vazhdueshme e MKRS-së por edhe e mekanizmave lokalë dhe e bashkëveprimtarëve të Rexhep Malës që ta ngritin këtë shtëpi e cila do të shërben si muze për periudhën për të cilën ka vepruar Rexhep Mala”, tha ministri, duke u zotuar se do të ngritët edhe shtëpia muze e Nuhi Berishës.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të bëjë përpjekje maksimale që të sigurojë dhe pjesën tjetër të buxhetit për përfundimin e plotë të ndërtimit të Kullës”, siguroi ministri.
Ministri Gashi kujtoi dhe përmendi aktivitetin patriotik të Rexhep Malës, Nuhi Berishës dhe bashkëveprimtarëve tjerë gjatë periudhës së viteve të ’80-ta të shekullit 20.
“Nderim i përmotshëm, heroit, Rexhep Mala, brezit të tij atdhetar, dhe të gjithë të rënëve, dëshmorëve, martirëve të gjitha Epokave të Lëvizjes sonë Kombëtare, deri në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ushtri, ishte dhe përjetë do të jetë nderi dhe krenaria e kombit”, ka thënë ministri për fund.
Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, tha se monumentet e këtilla ndihmojnë më shumë për të kaluarën e Kosovës.
“Sot bashkë bëmë përurimin e Kullës së Rexhep Malës shpresoj të rregullohet sa më shpejtë dhe të na ndihmoj që gjeneratat e reja mos ta harrojnë asnjëherë sakrificën që jemi tani këtu dhe kombi ynë të zhvillohet përpara”, tha ai.