Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar drejtpërdrejt Edi Ramën për situatën alarmante të zjarreve në Shqipëri, teksa ka shprehur ngushëllimet e tij për viktimën e parë në Gjirokastër.
Basha nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook” thotë se përgjegjësi i situatës po vijon turet e inagurimeve false duke lënë në mëshirë të fatit banorët.
Nga ana tjetër Basha i cilëson gjysmake masat e marra nga qeveria teksa kërkon që të merren masa urgjente që brenda mundësive t’u sigurohet jeta banorëve.
“I shpreh ngushëllimet familjes së Andrea Haxhiaj që humbi jetën sot si pasojë e zjarrit në zonën e Gjirokastrës. Masat gjysmake te qeverisë nuk e kanë normalizuar dot situatën alarmante të shkaktuar nga zjarret e ditëve te fundit në vend. Pavarësisht paralajmërimeve të qytetarëve dhe medias, në shumë zona zjarret vijojnë prej ditësh, ndërsa angazhimi i vetëm i qeverisë ka qenë përpjekje me mjete rrethanore të papërshtatshme dhe servirja e videove te zyrës së propagandës.
Si në rastin e tërmetit, emergjencat civile dhe qeveria ndodhen totalisht të papërgatitura për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe për të shmangur pasojat e katastrofave natyrore.
Përgjegjësi i kësaj situate vijon turet e inagurimeve false duke lënë në mëshirë të fatit banorët dhe qindra hektarë që po digjen prej ditësh. Është momenti që çdokush që ndodhet në zonat e rrezikuara nga zjarri të largohet dhe të kujdeset për jetën. Forcat e emergjencës që ndodhen në terren të marrin masa urgjente që brenda mundësive të sigurojnë jetën e banorëve të rrezikuar dhe të shmangin përhapjen e mëtejshme të zjarreve.”- shkruan Basha.