Viktimat nga Covid-19 u varrosen gabim e u zhvarrosen në mënyre të dyshimtë, prokuroria jep detaje te reja - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Viktimat nga Covid-19 u varrosen gabim e u zhvarrosen në mënyre të dyshimtë, prokuroria jep detaje te reja

    Insajderi
    10 February 2022 - 17:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Themelore në Prizren, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prizren, ndaj të pandehurve E.R dhe M.N, të cilët ndërruan trupat e dy viktimave të Covid-19, duke e varrosur njërën viktimë në Prizren, e që duhej varrosur në Istog.

    Në komunikatë thuhet se të dyshuarit më 9 shkurt, kanë shkuar në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë për të tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K e që gabimisht kanë tërhequr trupin e viktimës Z.D të cilin e kanë varrosur në Prizren.

    “Sipas kërkesës, të dyshuarit E.R., dhe M.N., (punëtorë të një kompanie për shërbime funerale)  me datë 09.02.2022, rreth orës 13:30, me automjet kanë shkuar në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë, me qëllim që të tërheqin nga aty trupin e pajetë të viktimës H.K., dhe të njëjtin t’a dërgojnë në Prizren, për ceremoninë e varrimit nga familjarët e tij. Mirëpo, të dyshuarit E.R., dhe M.N., nga Klinika Infektive kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës Z.D., së bashku me dokumentacionin e nevojshëm përcjellës, duke menduar se kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K. Trupi i pajetë i viktimës Z.D., rreth orës 14:30, është dërguar në varrezat e qytetit në Prizren dhe ju është dorëzuar familjarëve të viktimës H.K., dhe familja e tij e kanë varrosur në varrezat e qytetit në Prizren, duke menduar se është trupi i familjarit të tyre H.K. Më pastaj, është kuptuar se është bërë ngatërrimi i kufomave dhe se në varrezat e qytetit në Prizren, është varrosur gabimisht trupi i pajetë i viktimës Z.D”, thuhet në komunikatë.

    Prokuroria në Prizren ka konfirmuar raportimin e Demokracia.com se kompania në fjalë, ka bërë zhvarrimin e viktimës.

    “Me të kuptuar gabimin e ndodhur, të dyshuarit E.R., dhe M.N., sërish janë kthyer në Klinikën Infektive dhe nga aty kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K., dhe e kanë dërguar në varrezat e qytetit në Prizren. Të dyshuarit e lartëcekuar, rreth orës 18:00, kanë paguar 300 euro disa persona që të bëjnë zhvarrimin e trupit të pajetë të viktimës Z.D., dhe në të njëjtin varr, kanë varrosur viktimën H.K. E gjithë kjo, është kryer pa prezencën e familjarëve të viktimës H.K., dhe pa njoftuar zyrtarët policor. Më pastaj, trupi i zhvarrosur viktimës Z.D., është kthyer sërish në Prishtinë”, thuhet tutje në komunikatë.

    Më këto veprime, të dyshuarit E.R., dhe M.N., kanë përmbushur elementet e veprës penale “Dëmtimi i varreve apo kufomave” nga neni 413 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark