Vila e kryeministrit Rama kushton 400 mijë dollarë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Vila e kryeministrit Rama kushton 400 mijë dollarë

    Insajderi
    26 April 2016 - 10:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zbardhet deklarimi i pasurisë së Kryeministrit Edi Rama dhe familjes së tij për vitin 2015.

    Sipas të dhënave të publikuara nga “Open Data Albania”, mësohet se vila e Kryeministrit Rama në fshatin e Surrelit, në komunën Dajt është deklaruar me një vlerë prej 39,607,741 lekësh ose rreth 395 mijë dollarë.

    “Bashkëpronar me 50%, e ku 50% të tjera pjesë e regjimit martesor me bashkëshorten Lindita Rama, shtëpi banimi me sipërfaqe të padeklaruar, përcaktuar një kat, me vlerë ndërtimi 39,607,741 lekë, vendndodhja e shtëpisë në fshatin Surrel, komuna Dajt, pasuri që justifikohet me dokument leje ndërtimi, momenti i deklarimit pa titull pronësie”, thuhet në deklaratën e pasurisë së Kryeministrit Rama, raporton “Panorama”.

    Ndërkohë që në kategorinë e detyrimeve të papaguara thuhet se kreu i qeverisë ka si “detyrim të papaguar ndaj subjektit ndërtues të ‘shtëpisë së banimit në Surrel’, me vlerë – 12 056 241 lekë, detyrim si pjesë e regjimit martesor 50 me 50 me bashkëshorten”.

    Apartamente

    Gjithashtu, në deklaratën e vitit 2015 Kryeministri është regjistruar si pronar i dy apartamenteve të Tiranë, një banesë e privatizuar dhe e rivlerësuar në vitin 2012 me vlerë 5,422,100 lekë, me sipërfaqe 59 m². Po ashtu, pronar i një studioje artisti me sipërfaqe 65 m², në Tiranë, e trashëguar nga babai, me vlerë 2,500,000 lekë të rinj.

    Në kategorinë e pasurive të paluajtshme, bashkëshortja e Kryeministrit, Lindita Rama, ka deklaruar blerjen e një apartamenti në të cilin figuron pronare 100% në Tiranë, banesë me sipërfaqe 146.15 m2 + verandë 68 m2 + garazh 17 m2, blerë me pjesë në 2009-n dhe 2015-n. Në listën e pasurive të paluajtshme Lindita Rama rezulton pronare e truallit të blerë në Surrel, me sipërfaqe 4 483 m2.

    Pikturat

    Për herë të parë, Kryeministri Rama ka deklaruar edhe fitimin që ka marrë nga shitja e pikturave, edhe pse në deklaratën zyrtare nuk i ka ndarë veçmas të ardhurat e fituara nga libri “Kurban” me një vlerë prej 26 mijë dollarësh.

    “Të ardhura nga krijimtaria artistike: shitje e librit ‘Kurban’, shitje punë artistike vlera neto me detyrime tatimore të zbritura 2,694,009 (dy milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e nëntë) lekë”, thuhet në deklaratën e kreut të qeverisë.

    Në deklaratën e pasurisë së Kryeministrit është shtuar dhe djali, Gregori, se ka fituar nga shitja e veprave të artit. Në deklaratën e vitit 2015 thuhet se Gregor Rama ka ftuar 3400 euro nga shitja e pikturave. Ndërkohë që Gregori ka pakësuar llogarinë bankare me minus 197,626 lekë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark