
Në Komunën e Fushë Kosovës, është vërejtur rritje e ndjeshme e objekteve të ashtuquajtura “villa” apo ambiente të destinuara për përdorim afatshkurtër nga çifte. Këto objekte, që zakonisht gjenden në hyrje të vendbanimeve dhe zonave urbane, po ngjallin shqetësim në mesin e banorëve për ndikimin e tyre në rendin, sigurinë dhe moralin shoqëror të komunitetit.
Një rast konkret është ai në Miradi të Epërme, ku vetëm në hyrje dhe dalje të fshatit janë ndërtuar katër objekte të mëdha, të cilat përfshijnë mbi 80 vila.
Banorët e zonës thonë se ndihen të anashkaluar nga institucionet lokale, për shkak të asaj që e cilësojnë si tolerim të veprimtarive të dyshimta në këto ndërtime, të cilat nuk përputhen me asnjë plan zhvillimor të miratuar.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar Komunën e Fushë Kosovës për të kërkuar sqarime mbi këtë çështje, të sqarojë nëse këto objekte kanë leje ndërtimore dhe afariste, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Fushë Kosovë, Vlonjat Hasani, ka deklaruar se këto lloj objektesh nuk duhet të lejohen nëpër vendbanime, për shkak të ndikimit negativ që kanë mbi jetën publike.
“Është fenomen shumë i keq. Objektet e tilla të ashtuquajtura ‘Motele’ apo ‘Villa’ për pushime të shkurtra, asesi nuk duhet të lejohen nëpër vendbanime. Sepse dihet që destinimi i tyre është i qartë dhe i papërshtatshëm kur u ekspozohet rrugëve që qarkullojnë edhe familjet”, është shprehur Hasani.
Ai ka thënë se pjesa hyrëse e fshatit Miradi e Epërme tashmë është e mbushur me këto objekte, të cilat, sipas tij, po krijojnë një pasqyrë negative dhe të papranueshme për komunitetin lokal.
“Institucionet lokale dhe qëndrore duhet të inspektojnë dhe monitorojnë veprimtaritë që zhvillohen nëpër këto objekte. Këto ndërtime duhet të jenë larg vendbanimeve dhe rrugëve të frekuentuara nga qytetarët dhe familjet e tyre,” ka deklaruar ai për Insajderin.
Vilat e përdorimit afatshkurtër mund të ndërtohen dhe funksionojnë vetëm në zona të përcaktuara për akomodim/turizëm komercial, me leje ndërtimi dhe miratim të destinimit nga komuna. Në të kundërtën, ato konsiderohen të paligjshme./Insajderi