Pesë vjet pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, Kina po përballet me një rritje të rasteve të metapneumovirusit njerëzor (HMPV), një virus respirator që shfaq simptoma të ngjashme me gripin.
Ky zhvillim ka ngjallur shqetësime për një tjetër krizë shëndetësore globale, por ekspertët thonë se nuk ka arsye për panik.
Mjeku,Ilir Alimehmeti, shpjegoi se metapneumovirusi nuk është një virus i ri.
“Ky virus është njohur prej një çerek shekulli dhe shfaqet çdo dimër, duke prekur 10-12% të fëmijëve”.
Problemi kryesor është vështirësia laboratorike për ta identifikuar, por ai ngjan më shumë me gripin sesa me COVID-19”, tha Alimehemeti në emisionin “Kosova Today”.
Sipas tij, raportimet dramatike nga Kina mund të jenë të ekzagjeruara për shkak të mungesës së të dhënave të plota nga ky vend.
“OBSH ka vështirësi të marrë informacion të besueshëm nga Kina, gjë që e bën situatën më të pasigurt”, shtoi ai.
Ndërsa Aurora Dollenberg, mjeke e shëndetit publik në Gjermani, e cilësoi situatën në Evropë si optimiste.
“Pamjet nga Kina mund të jenë tronditëse, por në Evropë shifrat e të infektuarve janë të ulëta, ashtu si në tre dekadat e fundit”.
Nuk ka shenja të një shpërthimi epidemik apo rajonal”, tha Dollenberg