
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka reaguar nëpërmjet Facebook-ut, për kërcënimin që kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i ka bërë gazetarit dhe kryeredaktorit të Insajderi.com, duke e quajtur skandaloz.
Sipas tij, kryeministri Isa Mustafa do të duhej të arrestohej për këtë veprim.
“Policia e Isës shumë shpesh ka arrestuar qytetarë edhe për thjesht ndonjë shpërthim të momentit në facebook, që pushteti e ka interpretuar si kërcënim. Por, a do të guxojë policia e Isës ta arrestojë vetë Isën, i cili e paska telefonuar personalisht Vehbi Kajtazin për ta kërcënuar? Kërcënimi prej kryeministrit është shumë serioz, në një vend jodemokratik si Kosova e Isës”, ka shkruar Ymeri në Facebook.
Ymeri ka shkruar se Kosova do të duhej të ishte vendi ku “secili mund të kritikojë secilin, madje edhe me kritika të ashpra, por askush s’ka të drejtë të kërcënojë askënd”.
“Por ky transformim duhet të fillojë prej pushtetit. Duhet larguar nga pushteti Isa, e ata që kanë mentalitetin e Isës, që Kosova t’i shpëtojë kërcënimeve”, ka shkruar Ymeri.