Viti 2021 do të fillojë me mbledhje të përbashkët mes dy qeverie, të Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut.
Kështu, kjo mbledhje do të mbahet me 25 janar, ka njoftuar zëvendëskryeministrja, Albulena Balaj-Halimi.
Ajo tha se pas takimeve me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, u dakorduan që mbledhja e përbashkët ndërmjet dy qeverive të mbahet në janar të vitit të ardhshëm.
“Qeveria jonë ka filluar përgatitjen për realizimin e takimit të parë mes Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Takimi i dytë më z.Grubi u mbajt në Shkup më datë 16.12.2020. Në këtë takim u dakorduam që mbledhja e përbashkët të mbahet më 25 janar 2021 në Shkup, në hapësirat e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut”, ka thënë Balaj-Halimi.
Tutje ajo tha se Qeverisë atje i kanë dërguar një listë prej disa marrëveshjeve dhe kanë dhënë komentet lidhur me to.
“Nga lista prej 20 marrëveshjeve që posedojmë tani nuk besoj që kemi shumë marrëveshje për të cilat do të kemi pengesa për t’u nënshkruar nga ana e dy Qeverive tona”, u shpreh ajo.