Teuta Hoxha, e cila është drejtoreshë e YIHR-së ishte nisur më 5 shtator drejt Brukselit për të takuar zëvendëspresidenten e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek dhe deputeten e PE-së, Tanja Fajon.
Ajo ishte ftuar në cilësinë e drejtoreshës së përkohshme të Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut(YIHR) në Kosovë, dhe një nga temat e diskutimit në takimin e saj në Bruksel, siç thotë ajo, do të ishte lëvizja e lirë.
“Një prej temave që ne kishim zgjedhur për t’i diskutuar në Bruksel ishte liria e lëvizjes dhe arsimit. Atëherë ishte ironike që udhëtimi im, gjatë së cilit kisha planifikuar që të marr pjesë në këto diskutime, papritmas u ndërpre”, tregon ajo.
Siç tregon Hoxha përmes një artikulli të shkruar në vetën e parë, e të publikuar në Kosvotwopointzero.com, ajo tregon se kishte aplikuar për vizë në Ambasadën e Suedisë në Shkup, ndërsa udhëtimin e kishte planifikuar ta kryente përmes dy linjave, Shkup-Vjenë dhe Vjenë-Bruksel.
Por, për shkaqe burokracie, ajo u ndal në Vjenë dhe u detyrua të kthehej në Kosovë nga autoritetet austriake. Hoxha pretendon se ky kthim i saj, u bë në kundërshtim me ligjet e zonës ‘Shengen’ të BE-së.
“Gjithçka po shkonte mirë deri kur ateruam në Vienë. Aty më ndalën te seksioni i imigrimit dhe më thanë se kishte problem. Ata më informuan se problemi ishte te viza ime Shengen, që ishte vetëm për një hyrje, dhe ishte dhënë nga Ambasada Suedeze në Shkup”, tregon Hoxha.
“Sipas një listës së Pyetjeve që Shtrohen Shpesh, e publikuar në uebfaqen e Komisionit Evropian, udhëtimi në një shtet shengen me vizë të dhënë nga një shtet tjetër nuk duhet të jetë problem: “Si rregull i përgjithshëm, mund ta kaloni çfarëdo kufiri Shengen me [një] vizë të dhënë nga cilido shtet Shengen”. Pastaj në një paralajmërim shkruan: “Viza e qëndrimit të shkurtër nuk ju jep automatikisht të drejtë që të hyni në zonën Shengen”, dhe më pas jep shembuj të dëshmive ekstra që mund të kërkohen prej personit para hyrjes – e mua nuk më kërkuan asnjë dëshmi të tillë”, rrëfen ajo.
Teuta Hoxha më pas tregon se u kthye në Kosovë me vendim të autoriteteve austriake, derisa tregon se procesi i pritjes për shkak të procedurave burokratike zgjati rreth 10 orë. /Insajderi.com