
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të zhvillojë një vizitë dyditore në Kosovë më 10 dhe 11 mars, së bashku me një delegacion të NATO-s.
Gjatë kësaj vizite, Policia e Kosovës ka njoftuar se do të ndërmarrë masa të përkohshme për të siguruar rendin dhe qetësinë publike, duke përfshirë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa rrugë të caktuara.
Në njoftimin e Policia së Kosovës thuhet se gjatë lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit të NATO-s, do të ketë ndërprerje të përkohshme të trafikut në disa segmente rrugore që pritet të kalojë eskorta, si dhe në afërsi të objekteve shtetërore.
“Për të mundësuar qarkullimin e lirë të eskortës dhe zhvillimin e aktiviteteve të planifikuara, trafiku do të orientohet në rrugë alternative”.
Policia e Kosovës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik për këto masa të përkohshme, duke siguruar se do të bëhet gjithçka që është e mundur për të minimizuar shqetësimet për qytetarët gjatë vizitës.