“Vizitat tona të zyrtarëve shtetërorë në këto komuna nuk janë kundër askujt”, ka thënë sot kryeministrit Albin Kurti në hapjen e mbledhjes së Qeverisë teka foli për qëndrimin e tij dje në Veri bashkë me ministrat Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi, shkruan Insajderi.
Sipas tij, këto vizita po bëhen për t’i flakur paragjykimet.
“Dje ishim për vizitë në Leposaviq fillimisht, përkatësisht në fshatrat Bistrisë e Leshak e më pas në Mitrovicën e Veriut. Vizitat tona të zyrtarëve shtetërorë në këto komuna nuk janë kundër askujt, por janë të domosdoshme për të kuptuar nevojat që këto komuna i kanë pasi të kemi lënë anash çfarëdo paragjykimi për të cilin Qeveria angazhohet që nga dita e parë e saj. Pikërisht për t’i flakur paragjykimet e ndërsjellta dhe për të kuptuar se sa anash janë lënë qytetarët atje ne po i bëjmë këto vizita, që janë vizita puna”, tha kryeministri.
Kurti u shpreh se investimet që nuk janë bërë tash e dy dekada e sipas tij po shtohen shërbimet që u kanë munguar qytetarëve.
“Pas raportimeve se në katër komuna verore po funksionojnë komuna paralele të Serbisë e po zhvillohen veprimtari ilegale institucionet tona morën veprime ligjore për mbylljen e tyre. Kjo na ka mundësuar neve si institucione që më pas të ofrojmë shërbime të ligjshme. Në ato objekte do të funksionalizohen Njësia e Patentë-shoferëve në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës, Qendra për Punë Sociale në kuadër të Ministrisë së Punës, pastaj Shërbimi për Regjistrimin e Automjeteve në kuadër të MPB-së e shërbime të tjera në kuadër të ministrive të tjera”, deklaroi ai.
I pari i ekzekutivit shtoi se “Qeveria jonë nuk po mbyll zyre, përkundrazi po hap zyre. Nuk po zvogëlon shërbimet, por po i shton ato. S’po i largon shërbimet publike prej qytetarëve, por po i afron ato”