
Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit, mbi të Drejtat e Njeriut në Kosovë ka hartuar një raport mbi shkarkimin e Kryetares së KQZ-së Valdete Dakën.
Fillimisht është dhënë një shpjegim se si Presidentja në detyrë, në një deklaratë publike ka kritikuar votimin e KQZ-së, për moscertifikimin në zgjedhjet e 14 shkurtit të kandidatëve që ishin të dënuar me vendim të prerë të Gjykatës.
E në lidhje me këtë ka folur ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.
Ajo në t7 ka thënë se vendimi për shkarkimin e saj ka qenë i ndikuar politikisht.
“Tashmë janë bërë dhjetë muaj prej kur unë jam shkarkuar dhe nuk e di se a ka mbetur ndonjë raport ndërkombëtar i cili nuk e ka thënë që shkarkimi im ka qenë i motivuar politikisht. Nuk është vetëm ky raport por janë shumë raporte ndërkombëtare të cilat i kanë pas në fokus zgjedhjet dhe të cilat e kanë vlerësuar se shkarkimi im ka qenë politikisht i motivuar dhe se mënyra se si është bërë nuk ka qenë në rregull”, tha ajo.
LEXO EDHE:
E lidhur me apelimin e shkarkimit të saj nga KQZ-ja, Daka tha se është çështje që ka marrë fund.
Kjo pasi sipas saj askush nuk ka shprehur gatishmëri që çështjen e saj ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Kjo punë për mua ka përfunduar sepse tashmë ligjërisht nuk ka rrugë e cila mund ta ndjekë. Kam pritur shumë që Avokati i Popullit ta kryejë punën e tij që e ka sipas Kushtetutës dhe ta dërgojë këtë çështje në Gjykatë Kushtetuese por si duket Avokati i Popullit ka rënë pre e asaj që çfarë ka ndodhur atë ditë. Po ashtu edhe disa parti politike duke bërë kalkulime politike në prag të zgjedhjeve lokale nuk kanë dashur që të prishen me zonjën Osmani dhe nuk është dërguar kjo çështje në Gjykatën Kushtetuese”, tha Daka
Tutje raporti përshkruan se si, pas kësaj, Presidentja e vendit e shkarkoi Dakën nga KQZ-ja dhe citon organizatat e shoqërisë civile, të cilat e quajtën vendimin e Osmanit për Dakën si “të motivuar politikisht”.