Mbi 180 të dënuar për vepra të ndryshme penale, i janë drejtuar me kërkesa Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, që t’ua falë dënimet. Vjet, Presidentja s’e kishte falur asnjë të burgosur.
Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë deklaruar për Gazetën Insajderin se 183 të dënuar kanë bërë kërkesë për falje të dënimit.
Zëdhënësi i SHKK’së, Florent Gashi, ka thënë se këto kërkesa janë bërë gjatë gjithë vitit.
“Nga fillimi i vitit 2022 e deri më tani kemi bërë grumbullimin e informacioneve për 183 të dënuar dhe kemi përcjellë për procedurë të mëtutjeshme. Të dënuarit që kanë bërë kërkesa për falje janë të dënuar për vepra të ndryshme penale”, ka deklaruar Gashi për Insajderi.
Kërkesa për falje të dënimit të burgosurit kishin bërë edhe vjet, por asnjë prej tyre s’ishte falur nga Presidentja.