Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar si një veprim të duhur distancimin e presidentes Vjosa Osmani nga kryeministri Albin Kurti, duke theksuar se ky hap është në interes të Kosovës, edhe pse ka ardhur më vonë, shkruan Insajderi.
Sipas tij, veprimet e kryeministrit Albin Kurti do të përballen me një mungesë tolerancë nga ana e administratës amerikane pas ndryshimeve të fundit politike në Shtetet e Bashkuara.
“Unë mendoj që prap ajo po ja bën një nder Kosovës, sado vonë po ja bën një nder. Nëse ka qenë shkaktare që e kemi Kurtin 2, ajo mendoj që me këtë pozicionim po ja shpjegon Kosovës që s’është mirë me pas Kurtin 3,” tha Haradinaj, duke shtuar se veprimi i presidentes është i nevojshëm për të parandaluar një mandat të tretë të Kurtit.
“E vonë fatkeqësisht, e pasojat e Kurtit 2 i kemi, mirëpo prap se prap mendoj që për mos me pas Kurtin 3, presidentja ka bërë një veprim të duhur e të drejtë,” theksoi ai në Pressing.
“Qeveria Kurti 3, do ta rrezikonte ekzistencën e Kosovës,” përfundoi Haradinaj, duke i dhënë alarmin për mundësinë e një periudhe të pasigurt për shtetin kosovar.