
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, synon të ketë një objekt të ri për Presidencën, në të cilin, ndër tjerash, do të përfshihet edhe një rezidencë presidenciale. Kjo rezidencë është vetëm njëra nga disa prej hapësirave që planifikohen të përfshihen në ndërtesën e re, për të cilën tashmë është mbyllur tenderi për studimin e fizibilitetit.
Suitë të gjumit për presidentin, dhomë private për familjen, dhomë private për ushqim, kopsht e oborr privat e pesë dhoma për mysafirë, janë vetëm disa nga hapësirat që priti t`i ketë rezidenca e Presidencës së Kosovës.
Pos tyre, objekti ku do të zhvendoset Presidenca planifikohet të përmbajë edhe hapësira të tjera, si: kompleksin për kuzhinën presidenciale, dhoma për larje të rrobave, salla të ballove, bibliotekë presidenciale, dhoma për takim e zyra për stafin e Presidencës.
“Ofrim i idesë fillestare për dukjen e objektit të Presidencës, që përfshijnë: A. Krahu ceremonial: salla e madhe e pritjeve / salla e ballove; holli ceremonial / foaerja e madhe; dhoma e kredencialeve; dhoma tête-à-tête (takime dypalëshe); salla për media / dhoma për deklarata për media; biblioteka presidenciale”, thuhet në dosjen e tenderit.
Këto specifika janë vetëm në mesin e disa sosh që janë kërkuar të përfshihen në studimin e fizibilitetit, tenderi për të cilin është mbyllur të enjten.
Sipas planit, i gjithë objekti planifikohet të përfshijë nëntë zona funksionale.
Sipas njoftimit në dosjen e tenderit, për këtë studim janë planifikuar të shpenzohen 25 mijë euro, derisa objekti planifikohet të ndërtohet në lagjen “Prishtina e Re”.
Nga operatorët e interesuar ekonomikë është kërkuar që të bëhet një analizë e lokacionit, propozim për shfrytëzim racional të hapësirës, duke përfshirë edhe zona të gjelbra e shtigje për ecje./Koha