17:43 - 18 Qershor 2022

Bitcoini ka rënë nën 20 mijë dollarë të shtunën, në nivelin më të ulët në 18 muaj.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, kriptovaluta më e madhe ka rënë 7.1 për qind në 18,993 dollarë, derisa më parë kishte prekur shifrën 18,732 dollarë, vlera më e ulët që nga dhjetori 2020.

Këtë vit ka rënë rreth 59 për qind, derisa kriptovaluta rivale eter e mbështetur nga Ethereum ka rënë 73 për qind.

Sektori i monedhës dixhitale është goditur këtë javë pasi kompania e huadhënies së kriptovalutave Celsius ngriu tërheqjet dhe transfertat midis llogarive.

Sektori gjithashtu ka pësuar humbje pasi kompani të tilla si Coinbase Global Inc, Gemini dhe Blockfi thanë se do të pushonin nga puna mijëra punonjës derisa investitorët braktisnin asetet e rrezikshme.