Alban Pozhegu në cilësinë e Sinjalizuesit ka denoncuar një sërë shkeljesh e keqpërdorimesh që kanë ndodhur në Fondin për Sigurime Shëndetësore e që si kryeprotagonist kanë, drejtorin, Fatmir Plakiqi.
Pozhegu për InDoks ka thënë që drejtori aktual i Fondit, Fatmir Plakiqi ka një lidhje me Zyrën Kombëtare të Auditimit.
Sipas tij, Plakiqi ka raporte të ngushta me Auditorin e Jashtëm e edhe atë të Brendshëm. Përmend dy emra, Valbon Bytyqin e Jeton Qorrin.
“Krejt këto unë i kam sinjalizu, në Fond asnjë procedurë nuk është bë në mënyrë ligjore. Shembull po e marrë, projektimi i objektit të Fondit për Sigurime Shëndetësore asnjë procedurë është bë në mënyrë ligjore, shkelja është e jashtëzakonshme që është vërtetu në hetuesi edhe atë e kam sinjalizu. Çka është një gjë që duhet me cek që Fondi i Sigurimeve Shëndetësore asnjëherë nuk del keq në auditime, as Auditim të Brendshëm as të Jashtëm”.
“Arsyeja është që Auditori i Brendshëm është shoku i ngushtë i drejtorit, Fatmir Plakiqit – Jeton Qorri, është auditor kudo që ka punu Fatmir Plakiqi, Jeton Qorri ka qenë me të edhe është në rrjetet sociale me të gjitha anët dhe shihet me të. Ndërsa auditori i Jashtëm, Valbon Bytyqi është në pozitë të lartë në Auditorin e përgjithshëm dhe është i paguar nga Banka Botërore në Fondin për Sigurime Shëndetësorë, ai i menaxhon auditorët e jashtëm kur vijnë edhe e qesin raportin e mirë, por brenda rregullon Jeton Qorri. Do të thotë Valbon Bytyqi e rregullon jashtë me auditorë të përgjithshëm, Jeton Qorri e rregullon brenda”, tha Pozhegu për InDoks.
Auditori i Përgjithshëm ka tri vite që publikon raporte për Fondin për Sigurimet Shëndetësore. Në këto raporte në një far forme më shumë lihen fajtore palët që për shërim jashtë institucioneve publike kosovare nuk kanë sjellë faturat, se sa që ngritën dyshime për drejtuesit e Fondit.
“Nga 88 mostrat e testuara në vlerë prej 4.8 milionë eurosh tek rastet e rregullta ose jo urgjente, vetëm 55 pacientë i kishin dorëzuar faturat e trajtimeve, përderisa pjesa tjetër e pacientëve nuk i kishin dorëzuar dëshmitë e trajtimit të subvencionuar nga FSSH. Vlera financiare për rastet të cilat nuk i kishin dorëzuar dëshmitë e trajtimit është 446 mijë e 429 euro”, thuhet në raportin e fundit dhe shton Auditori që “Kjo kishte ndodhur për shkak të neglizhencës nga palët përfituese”.
Alban Pozhegu, një sinjalizues për dyshimet për keqpërdorim në Fondin shtetëror për Sigurime Shëndetësore ka vite që tenton që të alarmojë se çka po ndodhë në këtë institucion. I kushtoi me largim nga puna. Më shumë se një herë bile.
Qindra faqe dokumente i ka deponuar deri tash në Prokurori. I ka ndarë edhe me InDoks, pos këtij rrëfimi ekskluziv që e ka dhënë për emisionin. Kryefjala e këtyre dallavereve që i ka denoncuar: Drejtori i Fondit, Fatmir Plakiqi.
Rastet e tij, thotë ai po bllokohen në Prokurori. Përmend faktin që Plakiqi për një kohë ka punuar në institucionin që autorizohet nga Prokuroria për hetime: Policinë e Kosovës.
Pos në Prokurori e Agjencinë Kundër Korrupsion, ai ka tentuar që të marrë vëmendje edhe të mediave. Në së paku një rast, detajet e të cilit i ka shpjeguar në këtë rrëfim, ai dha një intervistë të gjatë. Nuk iu transmetua. Ngre dyshime që për mos transmetim të intervistës së tij, drejtues të atij mediumi mund të kenë marrë shpërblime.
Derisa në Fond, në një përgjigje për InDoks, e shpërfillin e nuk e konsiderojnë as si sinjalizues, i pari i shëndetësisë tash në vend, Rifat Latifi haptazi po e ngre zërin për Fondin. Kur e vizitoi së fundi këtë institucion, ai përdori përshkrimin: Jam tmerruar.
InDoks | Fondi i Dallavereve – Rrëfimi ekskluziv i sinjalizuesit Alban Pozhegu