
Komisioni Europian pritet të konkretizojë planin për krijimin e një muri dronësh për të mbrojtur vendet lindore të unionit nga shkelje të tilla si ajo e 9 shtatorit në Poloni, hapësira ajrore e së cilës u dhunua nga rreth 20 dronë të dyshuar si të ardhur nga Rusia përmes Ukrainës.
Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen informoi për nismën e Gjermanisë, Polonisë dhe Finlandës sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte pas një takimi që ata patën në Bruksel.
“Europa duhet të përcjellë një kundërpërgjigje të fortë dhe të përbashkët ndaj ndërhyrjeve të papritura nga Rusia.”
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s e konsideroi këtë nismë “të shkëlqyer”.
“Ne duhet të mbrojmë qiejt tanë, ndaj nisma e dronëve është e nevojshme dhe në kohën e duhur, pasi në fund të fundit nuk mund të shpenzojmë miliona euro për raketa, duke lënë pas dore dronët që kushtojnë vetëm disa mijëra dollarë.”
Shefja e ekzekutivit të BE-së njoftoi edhe akordimin e 2 miliardë eurove për furnizimin e Ukrainës me dronë, para që do të sigurohen nga asetet e ngrira të Rusisë.