
Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar sot në Gjykatën Supreme ankesën e saj lidhur me procesin e votimit të diasporës, duke u shprehur e bindur ka pasur manipulim me votat përmes postës nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në ankesën e saj, Vetëvendosje kërkon anulimin e 18.933 votave të LDK-së, të cilat, sipas partisë në pushtet, kanë ardhur në mënyrë të manipuluar.
VV kërkon gjithashtu rivotimin me postë dhe largimin nga lista të kandidatëve që kanë marrë më shumë vota përmes postës sesa në vendvotime në Kosovë.
Partia në pushtet ka deklaruar se këta kandidatë nuk duhet të zëvendësohen me anëtarë të tjerë të LDK-së.
“Vetëm përmes pranimit të ankesës sonë mund të rivendoset legjitimiteti i zgjedhjeve në Kosovë. Faktet kanë dëshmuar për një vjedhje industriale të votave dhe presim nga Gjykata Supreme që të korrektojë vendimin e padrejtë të PZAP-së e të marrë vendimin e duhur për ta parandaluar një precedent të tillë në të ardhmen,” thuhet në njoftimin e tyre.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është ende duke pritur vendimet përfundimtare nga institucionet përkatëse, përpara se të procedojë me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili për Gazetën Insajderi ka sqaruar se procesi zgjedhor aktualisht ndodhet në fazën e ankesave.
“Aktualisht procesi zgjedhor është në fazën e ankesave ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ më 15 mars 2025. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë vendimet e institucioneve përkatëse, t’i zbatojë ato nëse kanë detyrime për KQZ-në dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare”, ka thënë ai.
/Insajderi.