
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ndaj insistimit të Lëvizjes Vetëvendosje për votim të fshehtë në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Në një postim në Facebook, ai e ka quajtur të pakuptimtë dhe absurde mënyrën se si deputetët e VV-së po e paraqesin këtë formë votimi si “zgjidhje”, duke e cilësuar të gjithë procesin si manipulim procedural.
“Si mund të quhet ‘zgjidhje’ një procedurë që ka dështuar 34 herë radhazi, gjashtëfish më shumë sesa ajo e hapur?”, pyet Cakolli, duke shtuar se Kuvendi ka ngecur pikërisht për shkak të përpjekjeve për të kaluar në votim të fshehtë.
Ai tha se këto përpjekje “jo vetëm që nuk kanë prodhuar rezultat, por nuk janë as legjitime e as kushtetuese”.
Cakolli kujton se kryesuesi i seancës nuk ka autoritet për të vendosur mënyrën e votimit, pasi kjo çështje duhej të ishte diskutuar dhe vendosur në takimin përgatitor me ish-kryetarin dhe grupet parlamentare – takim që është mbajtur më 8 prill.
“Të këmbëngulësh për votim të fshehtë dhe ta shesësh si ‘zgjidhje’, kur në fakt është bërë burimi i bllokadës prej muajsh, është jo vetëm kontradiktore, por edhe manipulim procedural”, theksoi ai.
Në fund, Cakolli tha se në vend të këtij manipulimi, Kryesuesi dhe partia e tij duhet të rikthehen te konsensusi dhe kompromisi politik, duke respektuar vendimmarrjet kolektive.