
Prurja e re e Listës ‘Guxo’, Nezir Kraki, subjekt ky i cili hyri në garën zgjedhore me Lëvizjen Vetëvendosje, nuk është se u veçua fort nga komuniteti shqipfolës në shtetin ku kontriboi si profesor i shkencave politike.
Votuesit nga jashtë në konsullatën e Kosovës në Paris e kanë votuar Arben Vitinë, Albulena Haxhiun, Faton Pecin, Donika Gërvalla-Schwarzin, Xhelal Sveçlën e Hekuran Muratin para tij.
Kraki ka marrë gjithsej 54 vota, derisa më i votuari i VV’së është prijësi i listës, Albin Kurti me 162 vota.
Numra treshifrorë të votave ka edhe numri dy i VV’së në listën zgjedhore, Glauk Konjufca- 141 sosh.
Në këtë konsullatë, Lëvizja Vetëvendosje rezulton të jetë më e votuara, me 182 të votave ose 81,25 për qind të tyre.
Ligjëruesi i politikave të BE’së në Paris, Nezir Kraki, edhe para aderimit ishte shfaqur si adhurues i zjarrtë i VV’së nëpër qëndrime publike. Ai kishte kundërshtuar edhe fjalët e ambasadorëve në Kosovë.
Kraki e kishte quajtur vetën “baba i analizave”.
“Unë jam edhe nana. A e dini pse? Hajgaret anash. I kam 10 vjet që flas e shkruaj publikisht për vakitë politike të shqiptarëve në Ballkan, e vaki të tjera në Evropë e Botë. Këto 10 vjet asnjë germë, asnjë fjalë, nuk e kam ndryshuar qëndrimin. Jam origjinal në atë që them”, tha ai. /Insajderi.org/