Tre serbët e akuzuar për vrasjen e Enver Hadrit, ish-kryetarit të Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, janë dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Penale e Brukselit.
Lajmin e ka konfirmuar familja e të ndjerit Hadri, i cili ishte vrarë më 22 shkurt të vitit 1990 në Belgjikë.
“Ani se Prokurorja e Mbretit kërkoi për fajtoret nga 30 vjet burg për çdonjërin, megjithatë Juria, e përbëre nga përfaqësuesit e drejtpërdrejtë të popullit në sistemin e drejtësisë, vendosën ndryshe: ata vendosën që kriminelët serbe të dënohen me burg te përjetshëm,” thuhet në njoftim.
“Me këtë vendim, Gjykata Penale e Brukselit, kryeqytetit te Evropës, krahas organizatorit dhe vrasësve te Enver Hadrit, praktikisht e dënoi edhe shtetin serb. Sepse organet serbe që një çerekshekulli, nuk lanë gur pa levizë, qe vrasja e Enver Hadrit të mos zbardhet dhe dorasit të mos ndëshkohen”, ka thënë Teuta Hadri në emër të familjes.
Personat e dënuar janë: Veselin Vukotiqin, Andrija Drashkoviqin dhe Bozhidar Spasiqin./Insajderi.com