
“Deri nesër do të jetë dorëzuar 20-vjeçari i arratisur nga Greqia në Shqipëri”. Kështu deklaroi avokatja Anthoula Anasoglou në emisionin televiziv MEGA sa i përket të riut 20-vjeçar i përfshirë në vrasjen e 19-vjeçarit grek Alkis Kampanos dhe që prej disa ditësh ndodhet i fshehur në Shqipëri.
Bëhet fjalë pikërisht për Roxhers Demirazi, 20-vjeçari i arratisur pasi akuzohet si i përfshirë në vrasjen e Alkis Kampanos. Avokatja greke shprehet se ai e ka kontaktuar me anë të një avokati shqiptar dhe ka shprehur gatishmërinë për t’u dorëzuar sot ose nesër për rastin e vrasjes së Alkis Kampanos.
“Dje (e mërkurë) pasdite mora një telefonatë nga një koleg dhe shqiptari i përfshirë në këtë ngjarje dhe që ndodhet në Shqipëri do të dorëzohet sot ose nesër”, tha zonja Anasoglou.
Një nga të dyshuarit kryesorë për krimin, shoku dhe bashkëpunëtori i shqiptarit tjetër të arrestuar tashmë në Greqi, mundi të kalojë kufirin pa u vënë re për krimin e bërë.
Mësohet se është tifoz i një skuadre PAOK nga Selaniku dhe madje fanatik, siç dëshmojnë edhe fotot që ka postuar në profilin e tij në rrjetet sociale. 11 persona janë të dyshuar për këtë ngjarje, 10 janë të ndaluar dhe 1 është në kërkim. Sot ata pritet të dalin përpara gjykatës së Selanikut.