Të shtunën në rrugën “Ahmet Krasniqi” në lagjen Arbëria në Prishtinë, u vra pranë një hoteli 50-vjeçari nga Podujeva, Rexhep Tahiri.
Lidhur me rastin u arrestuan dy të dyshuar, M.M dhe A.M për shkak të veprave penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje” dhe “mbajtja në pronësi kontrolle ose posedim të pa autorizuar të armëve”.
Gjykata ka konfirmuar se njërit iu është caktuar masa e paraburgimit ndërsa tjetrit iu është refuzuar, shkruan Insajderi.
“Gjykata Themelore e Prishtinës, informon se caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin M.M e ka refuzuar ndërsa për të pandehurin A.M kërkesën e prokurorisë e ka aprovuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji“, thuhet në njoftim.
“Gjyqtari i Procedurës Paraprake, pas dëgjimit të prokurorit të shtetit, të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre, për caktimin e masës së paraburgimit, vlerësoj se kërkesa e prokurorit të shtetit sa i përket të pandehurit A.M është e bazuar sepse janë përmbushur kushtet e parapara me nenin 184, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale, ndërsa sa i përket të pandehurit M.M, në mungesë të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale, kërkesa e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtit është refuzuar, si e pa bazuar”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin është sekuestruar edhe: Një revole me një karikator, 11 fishekë, një gëzhojë dhe një thikë, ka njoftuar policia.