Mbrëmjen e së dielës, Blerim dhe Haxhi Islamaj dyshohet u vritën me armë zjarri nga Gjergj Gjokaj, i cili po pretendon se aktin e ka kryer në vetëmbrojtje. Vrasja u krye për motive pronësore. Megjithatë, Gazeta Insajderi ka marrë vesh detaje të tjera që mund ta ndryshojnë pistën e hetimeve dhe veprën penale të cilën do t’i rëndojë të dyshuarit Gjokaj. Ndiqini detajet më poshtë:
Gazeta Insajderi ka mësuar nga hetimet fillestare të Prokurorisë në Gjakovë se rasti i vrasjes së dy vëllezërve është duke shkuar në drejtim të hetimit të vrasjes dhe jo vrasjes në vetëmbrojtje.
Sipas burimeve brenda hetuesisë në Gjakovë, në video-incizimet që kanë parë ata ekziston mundësia që të jetë i përfshirë edhe një person tjetër në rastin tragjik ku mbetën të vrarë vëllezërit Islamaj.
“Nga shikimi i video-incizimeve del që në këtë rast mund te jete i përfshirë edhe një person tjetër, pos personit që është arrestuar”, i kanë thënë Insajderit burime brenda hetuesisë në Gjakovë.
Sipas tyre, deri më tani, analizat balistike kanë treguar që në vendin e ngjarjes janë gjetur tri lloje gëzhojash.
“Jane gjetur tri lloje gëzhojash. Tri armë të ndryshme. Madje edhe armë të gjata, dhe jo vetëm armë të shkurtra zjarri”, kanë thënë këto burime të Insajderit brenda hetuesisë në Gjakovë.
Në mbrëmjen e së dielës, më 25 qershor, si shkak i një kontesti pronësor përfunduan të vrarë Blerim dhe Haxhi Islamaj.
I dyshuari kryesor për aktin është Gjergj Gjokaj, i cili ka pretenduar se aktin e ka kryer në vetëmbrojtje, pasi është sulmuar rëndë dhe është plagosur nga dy të ndjerit.
Vëllai i Gjergjit, P.GJ (emër i njohur për redaksinë) pretendon se vëllai i tij, Gjergji, është rrahur në mënyrë brutale nga dy vëllezërit para se të ndodhte krimi.
Në pamjet që Gazeta Insajderi ka vendosur t’i bëjë publike, shihet se Gjergj Gjokaj ka lëndime serioze në pjesën e pasme të kokës dhe në këmbë.