Vrasja e Liridona Ademajt/ Granit Plava deklaroi se Naim Murseli i kishte thënë se do e vriste një biznesmene serbe – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Vrasja e Liridona Ademajt/ Granit Plava deklaroi se Naim Murseli i kishte thënë se do e vriste një biznesmene serbe

    Insajderi
    15 January 2025 - 11:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Katër të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt: Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, përmes deklaratave të dhëna në Polici dhe Prokurori, kanë dhënë versionet e tyre për njohjen me njëri-tjetrin, planin për kryerjen e vrasjes, përfshirjen dhe veprimet e secilit, deri te premtimi për pagesën.

    Granit Plava: Naim Murseli më tha se do e vrisja një biznesmene serbe

    Granit Plava në deklaratën e dhënë në Polici më 1 dhjetor 2023, ka deklaruar se një ditë para ditës kritike u takua me bashkëfshatarin e tij, Naim Murseli, ku ky i fundi i ka thënë se ka një rast nga i cili të dy mund të fitojnë para. Puna e tij, i ka thënë se do ishte ta vriste një biznesmene serbe dhe se pas vrasjes do t’ia jepte 30 mijë euro. Tha se kishte pranuar ta kryente vrasjen.

    Ditën kritike, Plava tha se Murseli i shkoi në shtëpi me një veturë, duke i thënë se me të do ta kryente vrasjen, por që s’ka pranuar duke thënë se i duhej një veturë më e madhe. Bashkë me Naimin, tha se shkuan në Kralan dhe mori veturën nga një person. Më pas, tha se Naimi ia dha armën e i tha ta përcjellë nga pas.

    Pasi kishin ndarë rrugët dhe që Naimi i kishte treguar se me çfarë veture do vinte, thuhet se Plava deklaroi që kur erdhi ia bëri me drita. Gjatë gjithë kohës tha se kanë qenë në kontakt me WhatsApp dhe se i ndoqi pas në restorantin ku shkuan Naimi me tani të ndjerën dhe fëmijët. Kur deshën të largoheshin nga aty, tha se Naimi i shkroi “qohu” dhe i kishte treguar kur të niset.

    Sipas tij, kur arritën afër vendit të ngjarjes, Naimi i shkroi “ti shko atje dil në pritë kurse unë po vonohem pak derisa të përgatitesh ti”. Më pas, tha se në vendngjarje i doli përpara veturës shkoi kah dritarja e pasagjerit dhe u ka thënë t’i dorëzojnë telefonat.

    “Qitni telefonat dhe e kam dëgjuar atë vajzën duke thënë mo mo dhe aty e kam vërejt se është shqiptare dhe kam shtënë vetëm një here dhe nuk kam dit se ku kam rrok”, citohet se deklaroi Plava.

    Pas kësaj, thuhet se Plava deklaroi që ka ikur nga vendi i ngjarjes, e që rrugës tentoi ta kontaktonte Naimin por ai nuk i është lajmëruar. Nga mediat, tha se të nesërmen e kuptoi se viktima ishte bashkëshortja e Murselit, lajm i cili thotë se e tronditi ngase sipas tij po ta dinte se është shqiptare nuk do ta vriste.

    I akuzuari Granit Plava ka deklaruar po ashtu se në Polici ka qenë disa herë për raste të rrahjeve gjatë kohës kur ishte në shkollë. Tha se Naim Murseli më parë nuk i kishte kërkuar të kryente punë tjera, e se me të njihej që 10-15 vite. Planin e vrasjes, Plava ka thënë se e ka bërë Murseli dhe se puna e tij ka qenë ta përcjellë atë, t’i dalë në pritë kinse ishte grabitje dhe ta vrasë vajzën që i ka thënë se ishte serbe dhe se 30 mijë euro do t’ia jepte të nesërmen.

    “Këtë gjë e kam bërë për shkak se më janë nevojitur paratë për sëmundjen e djalit tim”, citohet se tha Plava.

    Për motivin se pse Naimi donte ta kryente vrasjen, Plava citohet se deklaroi që ai nuk i ka thënë asgjë vetëm se viktima ka para. Tha se viktimës nuk i kishte marrë asgjë, por mbi tavanin e veturës mori një çantë të cilën e kishte lënë Naimi, e që nga ajo s’mori asgjë dhe e hodhi.

    Sipas tij, nuk e ka ditur se sa persona ishin në veturë dhe se nuk ka dëgjuar britma të fëmijëve. Tha se me sa e di askush tjetër nuk ka qenë në dijeni për rastin.

    Kushtrim Kokallën, Plava ka thënë se e ka shok nga fëmijëria, dhe se me Naimin nuk njihet përmes tij, por që njihen ngase janë nga i njëjti fshat. Me Kokallën, ishte takuar një natë para vrasjes, por që thotë se ai nuk e ka ditur se do e kryente vrasjen.

    Tani i akuzuari Plava ka deklaruar se ditën kur ka ndodhur rasti, Naimi ka shkuar tek shtëpia e tij ia ka dhënë 100 apo 120 euro për ta paguar veturën- naftën.

    “Ndjej keqardhje për rastin në fjalë. Po ta kisha ditur se kjo është shqiptare nuk do ta kisha bërë kurrë edhe pse kam pasur shumë nevojë për para për sëmundjen e djalit tim. Për këtë Naimi e ka shfrytëzuar gjendjen time ekonomike…”, citohet se tha Plava.

    Plava thotë se vrasjen e kreu shkaku i gjendjes së dobët ekonomike, presionit dhe gjendjes shëndetësore

    Ndërsa, në deklaratën e dhënë më 14 dhjetor 2023, thuhet se deklaroi që dy javë para rastit u takuan me Naimin e Kushtrimin, ku ky i fundi i ka thënë se do ta inskenojnë një aksident me veturë po që s’ka pranuar ta bëjë. Përmes Kokallës, thotë se i aranzhuan takimet me Murselin.

    Një javë para vrasjes, tha se u takua me Naim Murselin, i cili në prezencën e treve ia premtoi 30 mijë euro nëse e kryen vrasjen. Tha se ia kishte dhënë 400 euro, dhe se edhe Kushtrim Kokallës një shumë. Dhe ishin marrë vesh të kryhej vepra.

    Ditën kritike, Plava ka thënë se Naimi e bleu armën dhe 20 fishekë, tha se i kishte dhënë instruksione si të vepronte e që do i jepte sinjale me drita të veturës se kur të vepronte.

    Sipas tij, Murseli ia dërgoi edhe lokacionin ku të kryente vrasjen. Tha se kur e kreu vrasjen nuk ua mori telefonat dhe as asgjë tjetër. Shtoi se më nuk kishte komunikuar me Murselin dhe se vrasjen e kreu shkaku i gjendjes së dobët ekonomike, presionit dhe gjendjes shëndetësore.

    Në Dosje thuhet se kjo deklaratë ishte pjesërisht e saktë, por që tek pjesa kur thotë se nuk e dinte që fëmijët ishin në veturë, nuk mund t’i falet besimi ngase edhe vetë e pranon se ishte në restorantin ku ishte Murseli, viktima dhe dy fëmijët. Por, që në këtë mënyrë ka tentuar ta zvogëlojë përgjegjësinë për vrasjen e kryer në sy të dy të miturve.

    Kurse, më 23 janar 2024 kur është ftuar të deklarojë në Prokurori, thuhet se Plava shfrytëzoi të drejtën të mbrohet në heshtje.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark