×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    “Vrasja e njeriut të ligjit”, tregim nga Adil Olluri

    Insajderi
    31 August 2024 - 14:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në mbrëmjen e tjetërdjeshme u vra një njeri i ligjit.

    U vra fare pranë banesës së tij.

    U vra në orën njëzetë pa një çerek.

    Ishte duke ecur me hapa të ngadalshëm, pa u ngutur për asnjë çast, siç ecte gjithnjë i miri ynë që nuk shpejtonte asnjëherë. Ndoshta asnjëherë nuk do ta dimë saktë se pse njeriu i ligjit ngadalësonte gjithmonshmërisht. Ndoshta do ta ketë pasur ndonjë arsye të bazuar në ndonjë fakt kokëfortë, por që tash vështirë se mund ta kuptojmë, sepse ai më nuk është në mesin tonë. Po të ishte mes nesh, ndoshta do të na i shpjegonte mirëfilli ecshmërinë e tij të ngadaltë, edhe pse një gjë e tillë, thënë të drejtën, nuk është se do të na hynte shumë në punë. Nuk ka hyn më punë, sepse nuk mund të zgjidhim gjë edhe nëse e marrim vesh një të vërtetë të tillë, tash për tash të panevojshme.

    Me siguri, ata që e lexojnë këtë rrëfim do të pyesin se ç’ishte ky njeri i ligjit? Ishte gjykatës, prokuror, avokat apo hetues? Kishte emër dhe mbiemër? Ku jetonte dhe ku punonte? Ç’vishte e ç’mbathte? Ishte i trupgjatë apo i shkurtër? E shumë e shumë pyetje të tjera e të ngjashme, që mund t’i shtonin gojët kureshtare, për t’i bërë sy katër e për t’i hapur veshët sa më s’ka, për të lexuar a për ta dëgjuar ndonjë të dhënë shtesë rreth njeriut të ligjit, që u vra në mbrëmjen e tjetërdjeshme. Fundja, ç’rëndësi ka nëse themi se ka qenë gjykatës, prokuror, avokat a çfarëdoqoftë. E rëndësishme është që u vra një njeri i ligjit dhe atë duke shkuar, shpengueshëm, në banesën e tij, ku e prisnin gruaja dhe fëmijët e tij. E rëndësishme është që u vra një njeri që nuk mëtonte ta vriste askënd. Një njeri që nuk do t’i shkonte asnjëherë mendja se në një mbrëmje me hënë të plotë do të vritej fare pranë folesë së tij.

    Me të arritur në lagjen e tij dhe fare pranë hyrjes së rrokaqiellit ku ndodhej banesa e tij, iu kujtua se nuk kishte më duhan, sepse gjatë takimit gati treorësh, i kishte pirë të dhjetë cigaret e pakos së mëparshme, të cilën e kishte shtrydhur dhe e kishte hedhur në koshin e mbeturinave te dera e kafenesë së tij të preferuar, në të cilën nuk do të hynte më asnjëherë. Hyri në shitoren më të afërme, u përshëndet me shitësin shkurtak dhe militant të partisë në pushtet, i cili shante secilin gazetar që shfaqej në ekranin e vogël të televizorit të vendosur në shitoren e tij. E shprazte tërë arsenalin e mllefit ndaj kujtdo që dilte në ekran dhe e vinte në dyshim aftësinë dhe ndershmërinë e udhëheqësit të tij të parapëlqyer. Njeriut të ligjit nuk i pëlqente aspak ky shitës gojështhurur, por përtonte të shkonte tashmë në shitoret më të largëta, sepse ishte vonë dhe dëshironte të kthehej sa më parë pranë më të dashurve të tij. Pa humbur kohë dhe pa i lejuar mundësinë shitësit të futej në bisedat e tij të zakonshme për fuqinë e patjetërsueshme e të të pakontestueshme të udhëheqësit të madh, ai bleu një pako cigare dhe një lëng dredhëze, që e pëlqenin aq shumë fëmijët e tij. Pakon arriti ta hapte dhe të tymonte dy ose tre herë, jo më shumë, por lëngun e dredhëzës nuk arriti t’ua sillte fëmijëve të tij.

    Teksa merrte kthesën për të hyrë në rrokaqiellin ku ndodhej banesa e tij, u shkrepen tre plumba mbi trupin e shëndosh të njeriut të ligjit. Tre plumba në gjoksin e gjerë të të mirit tonë mjaftuan që ai të binte përdhe si një lis i madh e degëhapur, por që nuk i bën ballë dot asnjë sëpate, sado e vogël qoftë ajo.

    Njeriu i ligjit u gjakos dhe vdiq në çast, ndërsa vrasësi iku me erën, si një përftim që nuk e pa askush as kur erdhi e as kur iku. Ishte si një hije që mund të shfaqej sa hap e mbyll sytë dhe të zhdukej si mos të kishte qenë fare në atë vend. Banorët e lagjes, policët dhe hetuesit habiteshin se si në një hapësirë qyteti, ku në çdo çast mund të shihje njerëz duke shkuar diku ose duke u kthyer nga diku, mund të vijë dikush, ta vrasë dikë dhe të mos e shoh askush. Për ta bërë gjendjen edhe më të çuditshmen, vrasësin nuk e kishin kapur as kamerat e sigurisë, që ndodheshin mbi dyer dyqanesh, shitoresh në kënde të ndryshme të lagjes. Se si ka mundur t’i ikë vrasësi hije edhe kamerave të tilla, që xhironin çdo gjë, kjo do të mbetet çudia e çudive, një mister përtej misterit, që vështirë se mund të kuptohet ndonjëherë.

    Njeriu i ligjit vdiq në çast. Nuk e kishte as gjasën më të vogël t’iu mbijetonte tre plumbave më të vogël e më të hollë se gishtërinjtë e dorës, të dalë nga revolveri vdekjesjellës që ndoshta nuk do të ketë qenë më i madh se një pëllëmbë e zgjatur dore. Ai do të ketë provuar ta ngrite kokën për të parë se kush gjuajti mbi të, por nuk do t’i ketë arritur as ta shihte kush e qëlloi aq saktësisht e aq vdekësisht. Fryma do t’i ndalej, nuk do të ndiente më jetë as dhimbje, gjaku do t’ia ketë përshkuar këmishën e kaltër, cigarja e ndezur pak më parë do t’i jetë fikur nga gjaku i njomë, ndërsa lëngu i dredhëzës i blerë për fëmijë do të jetë rrokullisur deri te hyrja e rrokaqiellit.

    Gruaja me t’i dëgjuar krismat do t’i linte fëmijët vetëm për pak çaste dhe do të dilte vrapthi për të parë se ç’kishte ndodhur. Sikur ta parandiente të keqen, doli pa menduar dy herë dhe u pa u munduar ta thërriste së paku në telefon. Ajo asnjëherë nuk do t’i linte fëmijët vetëm, por në këtë rast parandjenja kishte ngadhënjyer dhe zbathur kishte zbritur shkallëve.

    Rreth trupit të pajetë do të jenë mbledhur kalimtarë të rastit dhe njerëz të lagjes. Dikush do të ketë telefonuar policinë a emergjencën, dikush do të ketë fotografuar. Gruaja e tashmë të ndjerit do t’i shpejtonte hapat për t’iu afruar meitit dhe kur e pa që ai ishte pikërisht burri i saj e lëshoi një britmë deri maje qiellit dhe një vaj lemeritës që nuk ishte dëgjuar asnjëherë në atë lagje.

    Lajmin për vrasjen e njeriut të ligjit mori dhenë. U fol për të për dy ditë rresht në shumicën e  kanaleve lajmëdhënëse të vendit tonë. Madje, për të u fol edhe në ato vendeve fqinjëve e më larg. Për të u shkruan poezi e këngë qe vajtonin fatin e keq të të vrarit. Ai për së vdekuri u bë i njohur dhe i dashur për qytetarët, të cilët për së gjalli fare pak, ndoshta edhe aspak, nuk kishin dëgjuar për të. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark