Vrasja e trefishtë në Gjilan: Babai dhe dy familjarë i mbetën të vrarë– Bujar Hoxha po lufton për jetën në QKUK - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Vrasja e trefishtë në Gjilan: Babai dhe dy familjarë i mbetën të vrarë– Bujar Hoxha po lufton për jetën në QKUK

    Insajderi
    10 August 2025 - 20:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjilani u trondit rëndë sot nga një krim i trefishtë që ndodhi rreth mesditës, në orën 12:32, në rrugën “Ibrahim Rugova”. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, tre persona mbetën të vrarë, ndërsa një tjetër u plagos, raporton Insajderi.

    I plagosuri është Bujar Hoxha, i cili aktualisht po trajtohet në Qendrën Emergjente të QKUK-së. Sipas drejtorit të kësaj qendre, Naser Syla, gjendja e tij është e rëndë, por për momentin stabile.

    “Një person i plagosur me armë zjarri është sjellë nga Spitali i Gjilanit në QKUK. Gjendja e tij është e rëndë, por stabile për momentin. Po kryhen ekzaminimet e nevojshme dhe ai po vazhdon trajtimin në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale”, deklaroi Syla për Insajderin.

    I dyshuari kryesor për këtë krim të rëndë është Mefail Shkodra, një emër i njohur për Policinë e Kosovës dhe publikun, për shkak të përfshirjes së tij në veprimtari kriminale – kryesisht fajde dhe detyrim.

    Gazeta Insajderi ka mësuar detaje të reja që çuan deri te ngjarja tragjike e vrasjes së tre familjarëve: babë e bir dhe babai i dhëndrit të tyre.

    Sipas burimeve të afërta të Insajderit me familjarë të viktimave, Bujar Hoxha, dhëndri i Selami Hasanit e kishte denoncuar në polici Mefail Shkodrën para dy javësh. Ai ishte intervistuar nga prokurorja Habibe Salihu për rastin që ndërlidhet me “fajde” dhe më pas ishte lënë i lirë.

    Rreth një jave më parv, Selami Hasani kishte caktuar një takim për sot (e diel) me Mefail Shkodrën dhe dhëndrin e tij, Bujar Hoxhën, me qëllim që të sqaronin situatën e krijuar.

    Por, takimi duket se nuk ka shkuar sipas planit dhe ka përfunduar në mënyrë tragjike.

    Bujar Hoxha aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë në QKUK, ndërsa babai i tij, Abedin Hoxha, ka ndërruar jetë nga plagët e marra.

    I vrarë ka mbetur edhe Edmond Hasani, djali i Selami Hasanit, i cili po ashtu humbi jetën në lokalin ku ndodhi krimi në Gjilan.

    Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim Mefail Shkodrën, si të dyshuarin kryesor për vrasjen e tre personave, ndërsa një person tjetër është arrestuar.

    Ndërsa më vonë, policia shpalli në kërkim edhe dy djemtë e tij,  22-vjeçarin Edonis Shkodra dhe 20-vjeçarin Engjull Shkodra, si të përfshirë në vrasje./Gazeta Insajderi/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark