Prokuroria Themelore e Prishtinës ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës N.M për vrasjen e një burri me armë zjarri në mbrëmjen e së martës në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë.
Këtë për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.
“Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë në rrugën “Ismet Krasniqi” në Prishtinë iu njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes, nga aty ne bashkëpunim të plotë me policinë e njësitë relevante kanë marrë veprime hetimore, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Prokuroria njofton se me urdhër të Prokurorisë, trupi i pajetë është dërguar në IML, për obduksion, ndërsa e dyshuara (56 vjeçe) është dërguar në mbajtje, për shkak të veprës penale “Vrasja e rënde”, sipas KPRK-se, si dhe është sekuestruar arma, si mjet i kryerjes së veprës penale.
“Nga hetimet preliminare, dyshohet se motivi i kryerjes së këtij akti janë problemet familjare, megjithatë rezultatet nga hetimi do t’i sqarojnë të gjitha rrethanat e këtij rasti”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë”, ka deklaruar Prokuroria.
Po ashtu bëhet e ditur se Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës, pranë gjykatës kompetente.
/Insajderi