
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Pirg të Maliqit, ku një 14-vjeçar mbeti i vrarë pas një konflikti mes të miturve. Policia e Korçës ka arrestuar 8 persona në lidhje me këtë krim që ka tronditur opinionin publik.
Në pranga ka përfunduar 14-vjeçari autor i dyshuar i vrasjes, i cili, sipas Policisë, tentoi të largohej nga vendngjarja me automjet menjëherë pas kryerjes së krimit.
Po ashtu janë arrestuar edhe babai dhe xhaxhai i autorit të dyshuar, të cilët dyshohet se kanë fshehur mjetin prerës (thikën) me të cilin u krye krimi.
Pjesë e të arrestuarve janë edhe 4 të mitur, që ndodheshin në vendin e ngjarjes dhe të cilët, sipas Policisë, “nëpërmjet deklarimeve të dhëna kanë tentuar të pengojnë zbulimin e së vërtetës.”
Në mesin e personave të ndaluar është edhe një 34-vjeçar, që ndodhej në vendin e ngjarjes dhe që, ashtu si autori i dyshuar, tentoi të largohej me të njëjtin automjet.
“Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme”, lexohet në njoftimin e policisë.