×
  • Lajme
  • Analiza

    Vrasja në tentativë në Rahovec, çka u deklarua para gjykatës? Insajderi ju sjell detaje ekskluzive

    Insajderi
    29 February 2024 - 11:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Abedin Hasanit, Çlirim Muharremit, Bashkim dhe Besnik Durakut, të dyshuar për kryerjet e veprave penale “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve”. Ngjarja ka ndodhur në Rahovec, ku është raportuar për të pak ditë më parë. Çfarë u tha në gjykatë për rastin e tyre? Gazeta Insajderi ju sjell detaje ekskluzive.

    Prokuroria Themelore në Gjakovë ka arsyetuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, duke thënë se ekziston rreziku i fshehjes apo arratisjes së tyre nga Kosova. Prokuroria ka pretenduar se pa kurrfarë komunikimi katër të dyshuarit kanë shtënë mes vete.

    “…Meqenëse të njëjtit me të parë mes vete pa ndonjë komunikim fare mes vete kanë shtënë në njëri-tjetrin në vazhdimësi ku edhe ka patur lëndime mes tyre derisa kanë ikur nga aty dy të pandehurit Çlirim Muharremi, kurse dy të pandehurit Bashkim Duraku dhe Besnik Duraku gjuanin nga shtëpia dhe nga vetura në pozicionet e tyre ku janë gjetur pastaj në vendin e ngjarjes numri i madh i gëzhojave nga gjuajtjet, që dëshmon se gjuajtjet me armë kanë qenë në vazhdimësi deri në ikjen e të pandehurit Çlirim, andaj kjo do të thotë se ka rrezik të arratisjes nga ana e të pandehurve”, thuhet në arsyetimin e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, në dosjen që ka parë Insajderi.

    Në dosjen e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të dyshuarve, thuhet se Çlirim Muharremi dhe Abedin Hasani kishin shkuar të armatosur në shtëpinë e vëllezërve Duraku. Tutje, këta të fundit, çdoherë sipas Prokurorisë, me të vërejtur kanë gjuajtur me armë nga shtëpia dhe vetura në drejtim të Muharremit dhe Hasanit.

    “Sipas kërkesës, A.H. dhe Ç.M., “Me datën 24 shkurt 2024, në fshatin Krushë e Madhe, Komuna Rahovec, me dashje kanë tentuar të privojnë nga jeta të dëmtuarit B.D. dhe B.D.(1), nga fshati Krushë e Madhe, Komuna Rahovec, ashtu që pasi natën kritike rreth orës 23:00h të pandehurit A.H. dhe Ç.M kishin shkuar të pajisur me armë tek shtëpia e të dëmtuarve B.D dhe B.D.(1), ku me vete kishin armë të llojit të panjohur N.N, ashtu që pasi të njëjtit janë vërejtur nga ana e të dëmtuarve kanë gjuajtur disa herë në drejtim të tyre duke iu shkaktuar lëndime trupore gjendje kjo e konstatuar nga raporti mjekësor i QKMF-së Rahovec, duke ikur më pas në drejtim të panjohur deri kur paraqitet për ndihmë të parë në Spitalin Rajonal të Prizrenit për shkak të lëndimeve të marra trupore. Po ashtu në kohën dhe vendin e njëjtë i pandehuri B.D. me dashje kanë tentuar të privojnë nga jeta të dëmtuarit A.H. dhe Ç.M., i cilin me t’i vërejtur në rrugë menjëherë e njofton vëllain e tij B.D.(1), dhe nga shtëpia ka gjuajtur me armë të tipit AK – 47 shumë herë duke i shkaktuar lëndime trupore tek i dëmtuari A. H., ndërsa B.D.(1), sapo ishte informuar nga vëllai i tij B. D., kishte marrë veturën e tipit ‘’N……’’, duke dalur në një rrugë tjetër dhe ka gjuajtur jashtë veturës me armën e tipit M-57, në drejtim të të dëmtuarve, duke shkaktuar kështu lëndime trupore, siç është konstatuar nga raporti mjekësor i Spitalit Rajonal të Prizrenit””, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

    Çka tha mbrojtja e të dyshuarve?

    Sokol Dobruna, avokat i të pandehurit Çlirim Muharremi, ka thënë se e kundërshton kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit duke shtuar se klienti i tij s’e ka ndryshuar deklaratën dhe se ndjehet i pafajshëm.

    “E kundërshtoj në tërësi kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë të datës 26.02.2024, për shkak se konsideroj se çka kam kuptua nga deklarata e të mbrojturit Çlirim Muharremi dhe rrethanave të cilave janë konstatuar nuk ka bazë themelore për caktim të paraburgimit, për  arsye se meqë i pandehuri si në përgjigjen në policisë që e ka dhënë ashtu edhe në konsultime si dhe nga kërkesa për paraburgim fitohet përshtypja se nuk ka bazë për caktimin e paraburgimit për çak edhe e kundërshtoj. Sa i përket aktvendimit për fillimin e hetimeve tash për tash nuk e kundërshtoj ngase pavarësisht që i pandehuri ndihet krejtësisht i pafajshëm hetimet do të vërtetojnë të njëjtën dhe më tutje nuk kam çfarë të komentoj”, ka deklaruar avokati Dobruna.

    Dardan Morina, avokat i Bashkim Durakut ka tërhequr vërejtjen ndaj Prokurorisë, duke thënë se ngjarja ka ndodhur në oborrin e shtëpisë së vëllezërve Duraku, e jo pranë shtëpisë. Në anën tjetër, thuhet se qëllimi i përdorimit të armës ka qenë zmbrapsja e personave të dyshuar.

    Rreshtin e parë thuhet citoj “Afër shtëpisë së tij” ndërsa në realitet i bëjë me dije gjykatës se ngjarja ku ka ndodhur është në shtëpinë e tij gjegjësisht në oborrin e tij ku në atë oborr janë të ndërtuara shtëpi, biznese dhe të vendosura makineri, gjegjësisht oborri përfshinë më shumë se 1 hektar hapësirë dhe është pronë private e vëllezërve Duraku. Ndërsa sa i përket mbajtjes në kontroll apo posedim të armëve pa autorizim siç është përshkruar është e pamohueshme… e vë në dijeni gjykatën se në natën e datës 24.02.2024 familja Duraku gjegjësisht i mbrojturi im ka qenë i sulmuar nga persona tash të identifikuar nga Prokuroria dhe veprimet e ndërmarra nga mbrojturi im ka qenë në suaza ta zbrapjes së sulmit, ka deklaruar ai.

    Bashkim Duraku ka thënë para gjykatës se “Pajtohet me deklarimin e mbrojtësit tim dhe shton se jemi kryefamiljar i kam xhamat e shtëpisë të thyera dhe nëse më jepet mundësia nga gjykata që unë të shkojë t’i rregullojë xhamat e shtëpisë.

    Prek Kola, avokati i Besnik Durakut ka thënë se Prokuroria s’ka arritur të dëshmojë se si klienti i tij mund t’i shmanget drejtësisë dhe të ndikojë tek dëshmitarët. Ai po ashtu ka përmendur edhe se Duraku është paraqitur vetë në polici.

    “Nëse e shikojmë rastin se si ka ndodhur, konsideroj me bindje se i mbrojturi im në këtë procedurë duhet të ketë vetëm cilësinë e dëmtuarit sepse natën kritike në shtëpinë e tij është sulmuar nga persona që tani janë të identifikuar. E vetmja mënyrë që t’i shpëtojë këtij sulmi ka qenë të gjuaj në drejtim të panjohur që t’i zmbraps sulmet e tyre andaj gjykata t’i ketë parasysh këto rrethanat dhe po ashtu se i mbrojturi im është mbajtës i familjes, t’i caktojë një masë më të butë duke refuzuar masën e paraburgimit”, ka deklaruar avokati Kola.

    Besnik Duraku në deklaratë ka thënë se pajtohet me deklarimin e mbrojtësit të tij duke shtuar se “jam mbajtës i familjes i vetëm, jetoj në një shtëpi me sipërfaqe të madhe ku në çdo kohë familja ime është rrezikuar nga hejnat sepse janë shtuar hajnitë në fshatin tonë”. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark