Ngjarje tragjike ndodhi mbrëmë në Prizren. Gjithçka nisi në lokalin e natës “Kobra City”, në pronësi të Dibran Hoxhajt. Tre kukasianë ishin pjesë e festës mbrëmë në këtë lokal. Por situata kishte eskaluar. Aty një 31 vjeçar ka mbetur i vrarë e një tjetër i plagosur. Sipas prokurorisë konflikti, nisi lidhur me pagesën e faturës së shpenzimeve, shkruan Insajderi.
Lidhur me ngjarjen tragjike, Gazeta Insajderi sot raportoi deri në detaje lidhur me ngjarjen.
Për Insajderin sot dhanë detaje nga Policia, Prokuroria dhe avokati i të dyshuarit për vrasjen.
Policia e Kosovës ndaloi sot Dibran Hoxhajn, i njohur me pseudonimin “Kobra” si të dyshuarin kryesor për vrasjen e 31 vjeçarit nga Kukësi, Visart Cengu, dhe plagosjen e Rufgen Shehu.
Nga Prokuroria e Prizrenit i kanë thënë Insajderit se vrasja dyshohet se ka ndodhur si pasojë e një fature prej 400 eurosh.
“Sot në orën 04:10, policia ka marr informatë se ka pasur të shtëna në afërsi të lokalit ‘Kobra City’, në dalje të Prizrenit, rruga Prizren- Kukës. Dyshohet se ngjarja tragjike ka ndodhur pas një konflikti në lokalin ‘Kobra City’ me disa shtetas të Shqipërisë, lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve”- thanë nga Prokuroria.
Ndërsa avokati i tij, Nexhat Elshani për Gazetën Insajderi tha se “Kobra” është i pafajshëm.
Sipas tij Kobra u mbrojt në heshtje. I pyetur se a është fajtor “Kobra” për vrasjen ai tha se përderisa ai nuk pranon fajësinë edhe avokati mendon njëjt si ai që është i pafajshëm.
Sipas avokatit, seanca gjatë të cilës do të vendoset për masën e sigurisë ndaj të pandehurit do të mbahet nesër (e mërkurë).
Lokali i natës “Kobra City” në Prizren, ku mëngjesin e sotëm nisi një përleshje e cila përfundoi me një të vdekur e një të plagosur, është mbyllur nga Drejtoria e Inspektoratit.
Ndryshe, Kujtim Gashi, Jesmir Badallaj, Burim Mazreku, Enver Amrllahi, Arben Vezaj janë njerëzit e afërt të Diban Hoxhajt, të cilët u ndaluan sot nga Policia e Kosovës, pasi dyshohen për pjesëmarrjen në rrahje gjatë një konflikti në lokalin e natës “Kobra City”.
Kush është personi tjetër i arrestuar si bashkëpunëtor i Kobrës?
Jesmir Badalli është personi tjetër i cili është arrestuar sot pas vrasjes së 31 vjeçarit, Visart Cengu nga Kukësi.
Pesë persona janë ndaluar nga policia e Kosovës. Në mesin e tyre është edhe roja, Jesmir Badalli.
Jesmir Badalli, në vitin 2017 ka qenë edhe përkrahës i Nismes. Ai ka qëndruar në zyrat e Nismës- Dega në Prizren.
Nga disa foto të publikuara në Facebook, ai shihet në zyrat e kësaj partie në Prizren.