
Vrau me thikë bashkëfshatarin e tij, Safet Hyskollarin, në fshatin Gështenjas të Pogradecit, arrestohet autori Fatmir Manellari gati dy muaj pas ngjarjes. Autori është vënë në pranga mbrëmë në Pogradec, sapo u kthye në shtëpinë e tij në fshatin Zagorcan.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi më 7 shtator. Sipas dëshmitarëve okularë të ngjarjes, viktima Safet Hyskollari, po bënte rehabilitimin e rrugës nëpërmjet të cilës futej ne banesë dhe kishte vendosur disa tubo shkarkimi për të cilat autori Fatmir Manellari ka pretenduar se ishin futur në tokën e tij. Kaq ka mjaftuar që të niste një konflikt verbal mes tyre ku në nxehje e sipër autori 63-vjeçar e ka qëlluar katër herë me thikë komshiun e tij, duke i shkaktuar vdekjen.
Banorë të zonës shprehen se nuk kishin dëgjuar asnjëherë konflikt të mëparshëm mes viktimës dhe autorit. Ngjarja ka qenë shumë e papritur edhe për familjen e autorit, të cilët e kanë marrë vesh lajmin nga gazetarët që kishin shkuar në vendngjarje./albeu.com