
Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Petrit Manajn, i cili dyshohet se vrau një ditë më parë bashkëshorten e tij, Valdete Manaj në Fier.
Manaj u arrestua një ditë më parë nga policia pasi agjentët kuptuan se gruaja ishte vrarë dhe jo vetëvrarë siç u raportua fillimisht në sallën operative prej vëllait të tij polic.
Valdete Manaj u vra mëngjesin e djeshëm me disa goditje thike në gjoks nga bashkëshorti i saj, i cili pasii kreu krimin e rëndë ka shkuar në një lokal për të ngrënë bukë. Ai duket se kishte bërë të gjithë skenarin në kokën e tij për ta bërë vrasjen e gruas të dukej si një vetëvrasje. Manaj kishte shkuar në lokal me idenë se ai nuk e dinte për krimin.
Pasi është kthyer, ka pretenduar se kishte gjetur të vrarë gruan e tij dhe për këtë të parin ka njoftuar vëllanë e tij që e kishte polic në Fier. Ashtu siç e kishte njoftuar vëllai i tij, polici kishte raportuar në sallë se kunata i kishte vrarë veten.
Por pas marrjes në pyetje policia ka dyshuar dhe më pas ka zbuluar se Valdete Manaj nuk vrau veten por u masakrua me thikë nga bashkëshorti i saj. Burime për ABC bëjnë të ditur se autori është përleshur me viktimën, pasi kishte gërvishtje në trup.
Tani Manaj duhet të presë në burg deri sa prokuroria të plotësojë dosjen hetimore, në mënyrë që pastaj ta dërgojë për gjykim. /abcnews.al